Ballina Aktualitet “Është trushpëlarje, nuk ka fare mundësi me ato plane që fliten”/ Zvërneci,...

“Është trushpëlarje, nuk ka fare mundësi me ato plane që fliten”/ Zvërneci, eksperti: U futën makineritë dhe bënë…

105
0

Një masakër e vërtetë mjedisore po ndodh larg vëmendjes së plotë të publikut, aty ku makineritë e rënda po rrafshojnë habitate jetësore, në emër të zhvillimit të një kompleksi të ri urban.

Për ekspertin e mjedisit, njëkohësisht aktivist i këtyre çështjeve, Joni Vorpsi, i ftuar në nje interviste televizive, u shpreh se pavarësisht deklaratave zyrtare se do të ruhen standardet evropiane dhe do të mbrohen lloje të rralla shpendësh si flamingo apo pelikani kaçurrel, ekspertët e mjedisit e cilësojnë këtë si një fshehje të realitetit.

Ndryshimet e fundit në ligjin për zonat e mbrojtura, sipas tij, u kanë hapur rrugë buldozerëve që po veprojnë pa asnjë kriter, madje edhe gjatë sezonit tejet delikat të folezimit të faunës së egër.

Dëmet e shkaktuara deri më tani në terren, theksoi aktivisti Vorpsi, janë të pariparueshme. Sipas tij, një zhvillim i tillë agresiv tregon qartë se habitati natyror po shkon drejt zhdukjes finale, duke e kthyer përfundimisht një nga pasuritë më të rëndësishme mjedisore të vendit në një qendër të zhurmshme e të pabanueshme për faunën e egër.

Ne pas çdo proteste kishim mesazhe, ankesa, që njerëzit nuk po arrinin të informoheshin në kohë për protestat që po organizoheshin për këtë çështje, por pas asaj që ndodhi ishte një marrëveshje e heshtur e gjithë qytetarëve që të dilnin në protestë, madje unë ditën e parë nuk isha, isha akoma në kampier dhe po kthehesha kur protesta filloi para Ministrisë së Brendshme. Pra këto deklarata priteshin, janë të përhershme që t’i hapet rrugë një projekti të atillë.

Gjithmonë thuhet që do jenë standardet mjedisore, standardet evropiane, do mbrohen llojet, po kur pyetet më konkretisht se si do bëhet kjo në terren nuk ka asnjë përgjigje, evitohet, fshihet, dhe patjetër që nuk ka një përgjigje sepse është e pamundur.

Me një qytet të ri që planifikohet të bëhet brenda zonës së mbrojtur… dhe kjo e dimë të gjithë që u bë e mundur nga ndryshimi i ligjit të zonave të mbrojtura. Atëherë nuk ka një mënyrë se si ti të fusësh buldozierë dhe flamingo të rrijë aty qetë. Trembet njeriu kur i kalon buldozieri afër, jo më jeta e egër.

Është trushpëlarje, gënjeshtra, nuk ka fare mundësi me ato plane që fliten. Pra ne shohim çfarë ndodhi tani. U futën makineritë dhe bënë dëm pafund. U futën në kohën e folezimit, i hypën dunave sipër, shkatërruan duna qindravjeçare, mijëravjeçare madje, pra atë që natyra kishte punuar qindra vjet e më shumë për ta bërë, brenda 24 orësh u sheshuan, u hodh çakull, u hapën kanale drenazhimi për moçalishtet brenda pyllit, dhe ne që tani shohim dëme aty.

Imagjino në qoftë se aty pastaj vëmë asfalt, vëmë trotuar, vëmë drita, janë 10 mijë dhoma të cilat do banohen, pra me sa mbaj mend unë vetëm 800 dhoma ishin hoteleri dhe pjesa tjetër banesa. Pra ne krijojmë një qytet të ri, i japim njerëzve 365 ditë mundësi të jetojnë aty, kjo kërkon ujë, energji, fasilitete të tjera.

Kjo pastaj imagjino njerëz të ndryshëm që jetojnë aty në një hapësirë të madhe të zonës së mbrojtur, për 365 ditë, dikush zihet me familjarët, dikush qëllon me armë, dikush do të bëjë një festë. Nuk flitet më për habitat natyror. Pra zonën më të rëndësishme që ne kemi jemi gati ta shkatërrojmë dhe kjo është vetëm një projekt që është hapja e derës sepse aty planifikohet përgjatë gjithë vijës mbi 10 kilometra të ndërtohen.