Qytetarët do të zhvillojnë këtë të mërkurë në orën 19:00 protestën e 18-të radhazi, ku kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe dorëheqjen e qeverisë.
Organizatorët vendosën që tubimi të nisë në orarin e mbrëmjes për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit.
Edhe pas 17 ditësh protestash të pandërprera, pjesëmarrja e qytetarëve ka mbetur e lartë. Një numër i madh protestuesish u mblodhën edhe mbrëmjen e kaluar përpara godinës së Kryeministrisë, duke vazhduar serinë e demonstratave të zhvilluara në kryeqytet.
Gjatë më shumë se dy javëve, qytetarët kanë dalë çdo ditë në protestë në Tiranë për të shprehur pakënaqësitë e tyre dhe për të kërkuar ndryshime në drejtimin e vendit.
Sipas pritshmërive, edhe sonte protestuesit do të qëndrojnë për disa orë para Kryeministrisë dhe më pas do të marshojnë në disa nga akset kryesore të kryeqytetit, duke bërë publike kërkesat e tyre.
Pjesëmarrësit kanë deklaruar se protestat do të vazhdojnë deri në arritjen e objektivit të tyre kryesor, që është dorëheqja e kryeministrit dhe largimi i qeverisë aktuale.







