Egnatia ka mësuar kundërshtarin e mundshëm në raundin e dytë kualifikues të UEFA Champions League, nëse arrin të kalojë me sukses Petrocubi-n në raundin e parë.
Shorti i hedhur sot në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës përcaktoi që kampionët e Shqipërisë të përballen me skuadrën sllovene, NK Celje, në rast kualifikimi.
Sipas kalendarit të UEFA-s, në rast suksesi të Egnatias, ndeshja e parë e këtij turi do të luhet në “Egnatia Arena” më 21 ose 22 korrik, ndërsa takimi i kthimit do të zhvillohet në Slloveni më 28 ose 29 korrik.
Skuadrat shqiptare kanë mësuar kundërshtarët e mundshëm në raundin e dytë kualifikues të UEFA Conference League, nëse arrijnë të sigurojnë kualifikimin nga ndeshjet e raundit të parë.
Vllaznia, në rast se eliminon Malishevën, do të përballet me skuadrën skoceze Hibernian FC në raundin e dytë të kompeticionit.
AF Elbasani, nëse kalon BATE Borisov, do të luajë ndaj ekipit zviceran FC Sion.
Ndërkohë, Dinamo City, në rast se eliminon Astanën, do të përballet me fituesin e çiftit FC Sheriff – NK Aluminij.
Sakaq, Egnatia, nëse nuk arrin të kalojë Petrocubin në raundin e parë kualifikues të UEFA Champions League, do të vazhdojë rrugëtimin europian në raundin e dytë të UEFA Conference League. Në këtë skenar, kampionët e Shqipërisë do të përballeshin me humbësin e çiftit FK Borac Banja Luka – PFC Levski Sofia.
Ndeshjet e raundit të dytë kualifikues të UEFA Conference League do të zhvillohen më 23 dhe 30 korrik.







