Prokuroria e Posaçme vijoi të enjten me leximin e kërkesës për gjykim ndaj ish-Presidentit Ilir Meta dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi, duke zbuluar detaje të reja mbi pagesat për lobimin në SHBA dhe mënyrën se si, sipas SPAK, janë fshehur fondet e dyshuara si produkt korrupsioni.
Prokurori Sotir Kllapi deklaroi se nga verifikimet e kryera ka rezultuar se kompania amerikane GSIS kishte faturuar 416 mijë dollarë për shërbimet e saj, por vetëm 93 mijë dollarë ishin paguar nga llogaritë e LSI-së. Hetimet zbuluan se kompania kishte organizuar takime të Ilir Metës me zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë dhe institucioneve të tjera amerikane, ndërsa pagesat kishin vijuar edhe pas afatit tre mujor të parashikuar në kontratë.
SPAK ka verifikuar edhe shpenzimet e përfaqësuesve të GSIS gjatë qëndrimeve në Shqipëri. Sipas prokurorit, disa prej tyre janë paguar nga Adrian Shatku, ndërsa letërporositë e dërguara në SHBA kanë identifikuar llogari bankare dhe kompaninë e tij, Unify Com INC, si burim pagesash për shumicën e faturave.
Nga 18 faturat e lëshuara nga GSIS, vetëm tre rezultojnë të paguara nga LSI. Dymbëdhjetë të tjera janë shlyer nga kompania e Adrian Shatkut, ndërsa për 93 mijë dollarë të tjerë nuk ka të dhëna të qarta.
Prokuroria pretendon se 279 mijë dollarë janë produkt i korrupsionit dhe se janë maskuar si pagesa të ligjshme përmes kontratave të lobimit. Për këtë arsye, sipas SPAK, Ilir Meta, në cilësinë e kryetarit të LSI-së, ka konsumuar veprën penale të pastrimit të parave.
Ndërsa prokurori lexonte faktet, Ilir Meta ndërhyri në sallë duke akuzuar gjyqtarin Erion Bani për njëanshmëri.
“Jeni ekstremisht i njëanshëm”, iu drejtua Meta kryesuesit të seancës, pasi nuk iu dha fjala gjatë relatimit të prokurorit.
Gjyqtari Bani iu përgjigj se nëse kishte kërkesë për përjashtimin e trupit gjykues, duhej ta paraqiste sipas procedurës.
“Jeni shumë të mirë. Më e mira prej jush është Irena Gjoka”, u përgjigj Meta me ironi nga kafazi i të pandehurit.
Pas dosjes CEZ-DIA dhe akuzave për financime të padeklaruara, SPAK pretendon tashmë se një pjesë e parave të përdorura për lobimin në SHBA nuk kanë qenë fonde politike të LSI-së, por para me origjinë korruptive të futura në qarkullim përmes kontratave të paraqitura si shërbime të ligjshme.







