Nga Demush Shasha
Revolucioni Flamingo veç se ka marrë viktimën e tij të parë – aurën dhe imazhin e Edi Ramës. Sot atletet e tij janë demode dhe “cringe”, ndërsa shakatë e tij janë pa lidhje dhe dekadente. Dikur Edi Rama ishte personifikim i çdo gjëje që Shqipëria kërkonte, sot ai është personifikim i çdo gjëje nga e cila Shqipëria dëshiron të çlirohet
Çfarë e bën një njeri të suksesshëm? Përgjigja varet nga profesioni të cilin personi e ushtron. Për shembull matësi kryesor i suksesit të një ndërmarrësi është paraja. Sa më shumë para, aq më i suksesshëm konsiderohet ndërmarrësi. Kësisoj të gjithë ne përjetuam historinë këto ditë kur Elon Musk arriti të bëhet trilioneri i parë në botë. Por në politikë, në anën tjetër, valuta më e rëndësishme nuk është paraja, por besimi. Pra, ne matim suksesin e çdo politikani në bazë të asaj se sa shumë qytetarët kanë besim te një lider politik – sa më shumë besim në një politikan, aq më i suksesshëm ai konsiderohet. Atë që gjenerata ime e quan besim, gjenerata Z me gjasë do ta kishte quajtur “aurë”. Dhe bazuar në këtë valutë aura e politikanit Edi Rama është në telashe të mëdha këto ditë.
Përgjatë disa ditëve të fundit janë shkruar qindra analiza për të shpjeguar Revolucionin Flamingo – nga komplote fantashkencore për ndërhyrjet nga jashtë, e deri tek ato më të arsyeshme të cilat shpjegonin gjynahet qeverisëse të Edi Ramës. Dhe patjetër që kjo është një mënyrë e të parit gjërat. Pas më shumë se një dekade në pushtet lista e gjynaheve të Ramës është shumë e gjatë – manipulimi i zgjedhjeve, represioni ndaj kundërshtarëve politikë, kapja e institucioneve publike, “plata o plomo” mediave, lobingje ndërkombëtare me FBI, krijimi i ultra-oligarkëve, proliferimi i narko-kullave, kolapsi shëndetësor, super inflacioni, inceneratorët, shkatërrimi i mjedisit dhe betonimi i bregdetit, verërat 30 mijë euro, dhe lista vazhdon.
Të gjitha këto dhe shumë më shumë patjetër shpjegojnë përse çdo mbrëmje dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë janë duke u mbledhur shesheve të Tiranës, por ka një shpjegim më elegant dhe më të thjeshtë për të shpjeguar Revolucionin Flamingo. Për të huazuar nga gjenerata Z, “aura” e Ramës ka marrë fund.
Atë që gjenerata Z e quan “aurë” politike, Max Weber e ka quajtur “karizëm”. Sipas njërës nga teoritë e Weberit, kur shoqëria arrin në një pikë të katarsisit politik dhe lodhjes sociale ajo gjeneron forcat impersonale strukturore që krijojnë kushtet për lindjen e një “lideri karizmatik” i cili personifikon të gjitha shpresat dhe ëndrrat e një shoqërie.
Një lider i tillë parimisht nuk derivon pushtetin e tij nga idetë apo politikat e tij, por nga vetë karizma dhe aura e tij. Ai arrin cilësitë pothuajse gjysmë hyjnore. Emri i tij brohoritet rrugëve dhe shesheve, ndërsa imazhi i tij projektohet në koncerte dhe stadiume.
Një Amerikë e lodhur nga fiasko në Irak, Afganistan dhe kriza financiare i ka dhënë jetë Barack Obamës. Një Hungari e lodhur nga autokracia, oligarkia dhe degradimi i Orbanit i ka dhënë jetë Peter Magyarit. Një Kosovë e lodhur nga shteti i kapur dhe korrupsioni i ka dhënë jetë Albin Kurtit. Dhe një Shqipëri e lodhur nga Sali Berisha i ka dhënë jetë Edi Ramës.
Edi Rama ishte shembull tipik i “lideri karizmatik” të Weberit. Për dekada Shqipëria ishte lodhur nga politikanë tipikë ballkanikë. Ndonëse vitet e qeverisjes së Sali Berishës ishin karakterizuar me zhvillime historike sikur ajo e liberalizimit të vizave dhe anëtarësimit në NATO, mbrapa në Tiranë, Vlorë dhe Dibër qytetarëve shqiptarë iu kishte ardhur në majë të hundës paaftësia e qeverisë që të përmirësojë jetën e tyre të përditshme. Thënë ndryshe shoqëria shqiptare kishte arritur pikën e katarsisit politik dhe lodhjes sociale dhe ishte në kërkim të një politikani i ri i cili do t’i jepte Shqipërisë një rilindje të re. Ai person ishte Edi Rama. Antitezë e politikanit klasik ballkanas – me fjalor ndryshe, me sjellje ndryshe, i veshur ndryshe, dhe me shijet e ndryshme Edi Rama ishte ndryshimi që Shqipëria kërkonte. Për transformimin e tij të Tiranës ai do të shpallet kryebashkiaku më i miri në botë dhe do të nderohet nga Harvardi. Për rilindjen urbane dhe transformimin e Shqipërisë ai do të sigurojë karrigen e rregullt në forume të rëndësishme ndërkombëtare dhe do të avancojë dukshëm pozitën evropiane të Shqipërisë. Thënë ndryshe, Rama nuk ishte vetëm politikan, ai ishte një lloj pop stari global. Në fjalorin e gjeneratës Z, aura e tij ishte “+1000”.
Por siç na mëson Weberi, dhe siç e kupton çdo pop star global – aura është gjë e përkohshme. Shqipëria e 2026-s nuk është Shqipëria e 2006-s. Ai që dikur ishte simbol i ndryshimit është bërë shkaktar i frustrimit. Jo sepse domosdoshmërisht Edi Rama ka ndryshuar, por sepse Shqipëria ka ndryshuar. Nevojat e saj emocionale, pritjet e saj politike dhe kërkesat e saj ekonomike kanë ndryshuar. Liderët politikë ngrihen dhe bien si pasojë e forcave që ata nuk mund t’i kontrollojnë. Sikur supernova, forcat që dikur kanë krijuar Edi Ramën janë tani shkatërrues të tij. Revolucioni Flamingo veçse ka marrë viktimën e tij të parë – aurën dhe imazhin e Edi Ramës. Sot atletet e tij janë demode dhe “cringe”, ndërsa shakatë e tij janë pa lidhje dhe dekadente. Dikur Edi Rama ishte personifikim i çdo gjëje që Shqipëria kërkonte, sot ai është personifikim i çdo gjëje nga e cila Shqipëria dëshiron të çlirohet. Thënë ndryshe jemi në vigjilje të lindjes së një Shqipërie të re. Tani në këtë moment të katarsisit politik dhe lodhjes sociale Shqipëria është në kërkim të një rilindjeje të re, të një Edi Rame të ri. Rama mund ta ndihmojë këtë proces ose të konsumohet nga ai. Zgjedhja është e tij.







