Nga Mirilda Tili
Pas tre muajve, qeveria vendosi t’i japë fund funksionimit të Bordit të Transparencës, mekanizmit të ngritur në kulmin e krizës së karburanteve për të frenuar rritjen e çmimeve dhe për të mbrojtur konsumatorët nga goditjet e tregjeve ndërkombëtare. Vendimi shënon fundin e një periudhe të pazakontë ndërhyrjeje shtetërore në treg, ngjashëm me atë të vitit 2022 kur nisi konflikti në Ukrainë, gjatë së cilës u kombinuan kontrollet administrative të çmimeve me masa fiskale lehtësuese, ndërsa debati politik u fokusua tek pyetja nëse barrën e krizës duhet ta mbante konsumatori apo buxheti i shtetit.
Prilli dhe ndërhyrja fiskale
Presioni ndërkombëtar mbi çmimet nuk u zbut. Përkundrazi, në fillim të prillit tendenca mbeti në rritje, duke detyruar qeverinë të ndërmarrë një hap edhe më të fortë.
Më 3 prill u miratua mekanizmi i reduktimit të akcizës me 20%, i cili aktivizohej automatikisht sa herë që çmimi i naftës kalonte pragun e 220 lekëve për litër ose benzina tejkalonte 200 lekë për litër. Ulja e akcizës sillte automatikisht edhe reduktimin e TVSH-së, pasi kjo e fundit llogaritet mbi çmimin final të produktit.
Duke shpjeguar logjikën e masës, zëvendësministri i Financave, Andi Mehmeti, në Komisionin e Ligjeve të datës 4 maj, deklaroi: “Për të mbrojtur konsumatorët dhe për të mbajtur në kontroll çmimet e shitjeve të gazoil dhe benzinës është propozuar që niveli i akcizës të ulet me 20% përgjatë kohëzgjatjes së periudhës së veçantë. Në total ulja e taksave për një litër është 9.5 lekë pasi kur ulet akciza, ulet edhe TVSH-ja e aplikuar. Për naftën akciza ulet kur kalon mbi 220 lekë litri, për benzinën kur kalon 200 lekë/litri.”
Sipas analizës së ekofin.al, mekanizmi u aktivizua vetëm dy herë gjatë gjithë periudhës së funksionimit të Bordit.
Më 3 prill, kur çmimi i naftës arriti nivelin rekord prej 233 lekësh për litër, ndërhyrja fiskale bëri që konsumatorët ta paguanin atë me 224 lekë për litër. Kostoja për buxhetin u llogarit në rreth 9 lekë për çdo litër të shitur. Pesë ditë më vonë, më 8 prill, çmimi i naftës u ngjit në 230 lekë për litër, por për shkak të uljes së akcizës dhe TVSH-së, në treg u shit me 220 lekë për litër. Në këtë rast, efekti fiskal për shtetin u përllogarit në rreth 10 lekë për litër.
Në të dyja rastet ndërhyrja u aplikua vetëm për naftën, pasi benzina nuk arriti asnjëherë pragun prej 200 lekësh që do të aktivizonte reduktimin e taksave.
Humbje në letër, fitime në praktikë
Megjithëse reduktimi i akcizës u paraqit si një sakrificë fiskale në favor të qytetarëve, Ministria e Financave argumentoi se rritja e çmimeve ndërkombëtare kishte sjellë një efekt neto pozitiv për arkën e shtetit.
Sipas llogaritjeve zyrtare të prezantuara për deputetët në komision, të ardhurat shtesë të krijuara nga rritja e çmimeve arritën në 553 milionë lekë, ose rreth 5 milionë euro. Kjo erdhi si rezultat i arkëtimit nga TVSH-ja dhe taksat e tjera mbi një bazë çmimi më të lartë, por edhe nga rritja e konsumit.
Andi Mehmeti theksoi se: “Efekti pozitiv është 553 milionë lekë të ardhura shtesë, por ka pasur edhe rritje të sasisë së importuar në konsum me rreth 2 mijë tonë, ose 3% më shumë se në mars të 2025. Gjithsesi efekti pozitiv i çmimeve në të ardhura është 553 milionë lekë. Ndërsa efekti negativ për periudhën 1-24 prill nga akciza është vetëm 37 milionë lekë për këtë periudhë, nga ulja në 20%.”
Kjo do të thotë se, pavarësisht kostos së ndërhyrjeve fiskale, shteti vazhdoi të përfitonte më shumë të ardhura sesa ishte planifikuar fillimisht në buxhet.
Fundi i Bordit dhe rikthimi tek tregu
Pas tre muajsh funksionim dhe 37 mbledhjesh, Bordi i Transparencës zhvilloi mbledhjen e fundit më 17 qershor. Në atë moment, çmimi maksimal i naftës u vendos në 176 lekë për litër, ndërsa benzina në 166 lekë për litër, nivele këto më të larta se ato që ekzistonin para shpërthimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Me tregjet ndërkombëtare në stabilizim dhe presionin mbi furnizimet që po zbehej, qeveria vendosi të tërhiqet nga ndërhyrja direkte. Ministrja Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, njoftoi ndërprerjen e mekanizmit:
“Sot do të ndërpresim Bordin e Transparencës që prej disa muajsh është në funksion. Kanë qenë muaj me luhatje të çmimeve, por ato prej dy javësh kanë ardhur duke u reduktuar, çmimet në bursë kanë rënë. Siç është bërë me dije ngushtica e Hormuzit do të zhbllokohet dhe tregu i hidrokarbureve është stabilizuar.”
Vendimi shënon rikthimin e plotë të mekanizmave të tregut në përcaktimin e çmimeve të karburanteve, duke mbyllur një kapitull të ndërhyrjes shtetërore.
Bilanci: një eksperiment me kosto të kufizuar fiskale
Bilanci i tre muajve të Bordit të Transparencës tregon se qeveria përdori dy instrumente paralelë: kontrollin administrativ të çmimeve dhe lehtësimin fiskal të përkohshëm. Ndërhyrjet e drejtpërdrejta me ulje akcize dhe TVSH-je u aktivizuan vetëm dy herë dhe i kushtuan buxhetit rreth 9-10 lekë për litër në secilin rast.
Megjithatë, efekti i përgjithshëm financiar rezultoi pozitiv për arkën e shtetit, falë çmimeve të larta ndërkombëtare që gjeneruan të ardhura shtesë nga taksat. Në aspektin ekonomik, eksperienca tregoi se ndërhyrja fiskale mund të zbusë përkohësisht goditjet e tregut, por nuk mund të zëvendësojë ndikimin e faktorëve globalë që përcaktojnë çmimin e energjisë.
Me stabilizimin e tregjeve dhe rikthimin e çmimeve thuajse në nivelet para krizës, qeveria vendosi se momenti i ndërhyrjes kishte përfunduar. Tashmë, çmimet e karburanteve do të varen sërish nga zhvillimet ndërkombëtare, kursi i këmbimit dhe konkurrenca mes operatorëve të tregut vendas. /ekofin.al







