Ballina Politika PD kërkon mocion me debat në Kuvend për raportin e KE-së: Bardhi...

PD kërkon mocion me debat në Kuvend për raportin e KE-së: Bardhi dorëzon kërkesën për 20 shqetësimet e ngritura nga PE

84
0

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Kuvend një kërkesë për zhvillimin e një mocioni me debat mbi raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2025. Kërkesa është firmosur nga kryetari i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, i cili kërkon që Kuvendi të diskutojë gjetjet dhe rekomandimet e institucioneve europiane, duke i cilësuar ato si çështje me rëndësi të veçantë për procesin e integrimit të vendit.

Sipas PD-së, në raportin dhe rezolutën përkatëse evidentohen 20 shqetësime kryesore, të cilat lidhen me funksionimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit, pavarësinë e institucioneve, lirinë e medias, proceset zgjedhore dhe standardet demokratike. Opozita argumenton se këto gjetje kërkojnë një debat të posaçëm parlamentar dhe adresim të menjëhershëm nga institucionet shqiptare.

Demokratët theksojnë se diskutimi në Kuvend duhet të shërbejë për të analizuar kushtet dhe rekomandimet e partnerëve europianë, si dhe për të përcaktuar hapat që duhen ndërmarrë për avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Pritet që Konferenca e Kryetarëve të vendosë nëse kërkesa e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike do të përfshihet në rendin e ditës për zhvillimin e mocionit me debat.