Lëvizja Vetëvendosje ka mohuar çdo përfshirje si subjekt politik në protestat që po zhvillohen në Shqipëri prej 23 ditësh.
Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Enver Dugolli, deklaroi se partia nuk ka asnjë rol organizativ apo politik në këto protesta, duke theksuar se mbështetja ndaj tyre është vetëm në nivel individual nga disa aktivistë apo eksponentë, si shprehje solidariteti me kërkesat e qytetarëve.
“Vetëvendosje nuk ka të bëjë asgjë me këtë protestë. Disa aktivistë apo individë solidarizohen me kërkesat e qytetarëve, por nuk bëhet fjalë për rol të subjektit politik”, u shpreh Dugolli.
Ai i bëri thirrje kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që të mos e përfshijë Vetëvendosjen në deklaratat e tij lidhur me protestat, duke theksuar se vëmendja duhet të jetë te qytetarët protestues.
“Gjuha e përdorur nga Rama nuk i bën nder. Ai duhet të komunikojë me qytetarët e revoltuar dhe të reflektojë ndaj kërkesave të tyre, jo të merret me Vetëvendosjen”, shtoi ai.
Sipas Dugollit, protestat në Tiranë dhe qytete të tjera, si dhe pjesëmarrja e diasporës, janë shprehje e pakënaqësisë qytetare ndaj situatës politike dhe nuk lidhen me organizim nga ndonjë subjekt politik nga Kosova.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka përmendur më herët individë apo mbështetës të Vetëvendosjes në kontekstin e protestave, duke i cilësuar disa prej tyre si pjesë e asaj që ai e quajti “çorbë dreqërish”, ndonëse ka bërë dallim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Rama ka kritikuar gjithashtu pjesëmarrjen e qytetarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protesta, duke theksuar se ata nuk përfaqësojnë diasporën shqiptare të Shqipërisë.







