Ballina Europë 24 vite burg për ish-ministrin spanjoll, skandali i korrupsionit gjatë Covid-19 trondit...

24 vite burg për ish-ministrin spanjoll, skandali i korrupsionit gjatë Covid-19 trondit politikën e Madridit

95
0

José Luis Ábalos, ish-ministër i Transportit dhe një nga figurat më të rëndësishme të Partia Socialiste e Punëtorëve Spanjollë (PSOE), është dënuar me 24 vjet burg nga Gjykata e Lartë e Madridit për përfshirje në një skemë korrupsioni gjatë pandemisë Covid-19.

Sipas vendimit gjyqësor, Ábalos është shpallur fajtor për organizim kriminal, korrupsion, përvetësim të fondeve publike dhe ndikim të paligjshëm, në lidhje me kontratat për shitjen e maskave mbrojtëse gjatë krizës shëndetësore globale.

Në të njëjtin proces është dënuar edhe ish-këshilltari i tij, Koldo García, me 19 vjet burg, për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe abuzim me detyrën.

Gjykata njoftoi se vendimi është marrë unanimisht, duke arritur në përfundimin se të pandehurit kishin krijuar një strukturë të organizuar kriminale me role të ndara, e cila ka kryer vepra të rënda korruptive gjatë periudhës së pandemisë.

Një tjetër person i përfshirë në këtë çështje, biznesmeni Víctor de Aldama, është dënuar me 4 vite e gjysmë burg, por dënimi i tij është pezulluar për shkak të bashkëpunimit me hetuesit.

Sipas hetimeve, në këmbim të dhënies së kontratave publike për furnizimin me miliona maska gjatë pandemisë, Ábalos ka përfituar pagesa shtesë mujore, pagesa për udhëtime familjare, shërbime personale dhe përfitime të tjera, përfshirë edhe pagesa të paligjshme.

Çështja ka marrë përmasa të mëdha politike në Spanjë, pasi gjatë dëshmisë së tij, biznesmeni De Aldama ka pretenduar se kryeministri Pedro Sánchez ishte në krye të një rrjeti të organizuar, akuza që kanë ndezur debat të fortë në skenën politike spanjolle.

Ábalos, i konsideruar si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Sánchez dhe një figurë kyçe në ngritjen e tij politike, ka mbajtur më parë edhe postin e sekretarit organizativ të PSOE-së, duke qenë një nga njerëzit më me ndikim brenda partisë.

Hetimet dhe vendimi gjyqësor pritet të kenë pasoja të mëtejshme politike në Spanjë, ndërsa çështja mbetet ende në qendër të vëmendjes së opinionit publik.