Flluska përvëluese e të nxehtit vijon të godasë Evropën. Këtë të mërkurë dhe të enjten nga rajoni Bask në territorin e Spanjës e deri në Poloni, temperaturat do të arrijnë 12–14 gradë mbi mesataren e kësaj periudhe.
Meteorologët parashikojnë që vapa të vazhdojë edhe rreth dhjetë ditë të tjera dhe vetëm të premten, më 3 korrik, ose të shtunën, më 4 korrik, temperaturat mund të kthehen në vlera normale.
Në Francë priten temperatura deri në 40 gradë në shumë qytete, ndërsa 53 departamente janë në nivelin më të lartë të alarmit. E marta ishte dita më e nxehtë që nga viti 1947, me një temperaturë mesatare prej 29,8 gradësh dhe një kulm prej 44,3°C në juglindje të vendit. Nata mes së hënës dhe së martës ishte më e nxehta e regjistruar ndonjëherë në Francë, me një mesatare prej 21,6°C.
Në Itali, 16 qytete janë shenjuar me alarm të kuq nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa nesër do të jenë 17. Në Milano 5 netë dhe në Bolonja 4 netë janë regjistruar edhe netë supertropikale, me temperatura minimale mbi 25 gradë. Në Firence, për herë të parë në më shumë se 70 vjet, janë regjistruar gjashtë ditë radhazi me temperatura mbi 36°C.
Vala e të nxehtit ka përfshirë edhe jugun e Britanisë së Madhe, ku temperaturat kanë arritur në 37 gradë, një rekord absolut kombëtar për muajin qershor. Mbi 300 shkolla janë mbyllur. Në Buckingham Palace dhe në Ëindsor është pezulluar ceremonia e ndërrimit të rojës. Operatori kryesor hekurudhor britanik ka këshilluar qytetarët të shmangin udhëtimet sot dhe nesër.
Edhe në Spanjë e zvicër autoritetet kanë pezulluar disa nga aktivitetet publike për shkak të situatës.
OBSH paralajmëroi këtë të mërkurë për riskun që I nxehti po sjell tek shëndeti I njerëzve. Hans Kluge drejtor për evropën I organizatës thotë se Nxehtësia nuk është më vetëm një çështje meteorologjike: është një emergjencë shëndetësore. Sipas tij, rritja e temperaturave po ushtron presion mbi sistemet shëndetësore dhe po rrezikon jetët e njerëzve.
Kluge citoi në një reagim të tij disa shifra sipas të cilave në katër vjet, nxehtësia ka shkaktuar 200 mijë vdekje në Evropë, ndërsa vdekshmëria e lidhur me të nxehtin është rritur me 30% gjatë 20 viteve të fundit.







