Ballina Ekonomia Shqipëria ka ndër shpenzimet më të larta në rajon për rrugët, por...

Shqipëria ka ndër shpenzimet më të larta në rajon për rrugët, por mbetet e fundit për dendësinë e rrjetit

69
0

Shqipëria është ndër vendet e Ballkanit Perëndimor që po investon më shumë në infrastrukturën rrugore në raport me madhësinë e ekonomisë, por mbetet në fund të renditjes rajonale për dendësinë e rrjetit rrugor. Sipas raportit “South East Europe 2030 Strategy – State of Play in 2025”, Tirana shpenzon 1.08% të PBB-së për investime në rrugë, një nivel gati sa dyfishi i mesatares së Bashkimit Europian prej 0.6% të PBB-së.

Raporti vëren se vendet e Ballkanit Perëndimor po investojnë proporcionalisht më shumë se çdo grup tjetër në Europën Juglindore. Në krye është Beogradi me 1.42% të PBB-së, i ndjekur nga Shkupi me 1.15%, Tirana me 1.08% dhe Prishtina me 1.01%. Këto investime janë mbështetur kryesisht përmes bashkëfinancimit me Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor, WBIF, dhe kanë sjellë rezultate të dukshme përgjatë korridoreve kryesore TEN-T.

Megjithatë, niveli i lartë i investimeve nuk ka mjaftuar për të mbyllur hendekun strukturor në rrjetin rrugor. Të dhënat për vitin 2024 tregojnë se dendësia e rrugëve në Europën Juglindore ndryshon ndjeshëm, nga më pak se 15 kilometra për 100 kilometra katrorë deri në afro 200 kilometra për 100 kilometra katrorë. Në këtë krahasim, Tirana renditet në fund të listës, me dendësinë më të ulët të rrjetit rrugor ndër pjesëmarrësit e përfshirë, me më pak se 15 km rrugë për 100 km² në vitin 2024.

Diferenca me vendet e tjera të rajonit është e dukshme. Ljubljana ka dendësinë më të lartë, afër 200 kilometra për 100 kilometra katrorë, ndërsa Athina është mbi 90 kilometra për 100 kilometra katrorë. Podgorica, Beogradi dhe Shkupi qëndrojnë dukshëm më lart se Tirana, ndërsa edhe Prishtina dhe Sofja kanë rrjet më të dendur rrugor sipas treguesit të raportit.

Kjo e vendos Shqipërinë në një pozicion të dyfishtë: nga njëra anë, vendi po bën një përpjekje të madhe fiskale për ndërtimin e infrastrukturës rrugore; nga ana tjetër, baza ekzistuese e rrjetit mbetet e kufizuar krahasuar me rajonin dhe Bashkimin Europian. Me fjalë të tjera, investimet janë të larta, por hendeku historik në infrastrukturë është ende i madh. /ekofin.al