Mediat ndërkombëtare i kanë bërë jehonë protestës së zhvilluar sot para Parlamentit, përplasjeve mes qytetarëve dhe policisë, arrestimeve të dhunshme.
“Associated Press” shkruan se “policia u përplas me protestuesit të enjten, në një demonstratë antiqeveritare, e cila u shndërrua në dhunë.”
AP raporton se policia përdori gaz lotsjellës dhe sprej me piper ndaj protestuesve që po i qëllonin me vezë, duke theksuar se protestat e një muaji “shprehin kundërshtim kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama”.
“Reuters” ka ndarë disa imazhe nga protesta, momente kur qytetarët janë sulmuar me gaz lotsjellës dhe sprej piper nga policia. Siç shihet nga pamjet, është edhe një moment kur autoboti me ujë tenton të shpërndajë turmën.
Ndërkaq “US News” i ka dhënë zë “ujit dhe gazit lotsjellës që policia përdori për të shpërndarë protestuesit antiqeveritarë para parlamentit, të cilët hodhën vezë dhe miell ndaj oficerëve të policisë dhe disa ligjvënësve.”
Media ndërkombëtare shkruan se “protestat e përditshme janë mbajtur për më shumë se një muaj në Tiranë për shkak të korrupsionit të dyshuar të lidhur me projekte të ndryshme zhvillimi përgjatë bregdetit dhe pranë zonave të mbrojtura. Qeveria mohon korrupsionin.”
Artikulli i referohet protestave si një provë për kryeministrin Rama, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 2013 dhe të cilin shumë “e fajësojnë për moszhdukjen e korrupsionit të përhapur ose për mosbërjen e mjaftueshme për të përmirësuar shërbimet bazë si kujdesi shëndetësor.”
Euronews shkruan: “Përleshje të dhunshme shpërthyen midis policisë dhe demonstruesve jashtë parlamentit të Shqipërisë të enjten”, teksa i referohet protestës së zhvilluar sot para Parlamentit, në vijim të një muaji revolte qytetare.







