Është arrestuar në Dhërmi Granit Pepnika. Mësohet se Pepnika u arrestuar në një resort nga drejtoria vendore dhe forcat operacionale të Vlorës.Pepnika ishte në kërkim për mashtrimet me Call Centera.
Granit Pepnikaj është një nga emrat kryesorë që ka dalë nga hetimi i përbashkët i autoriteteve shqiptare dhe austriake për një prej skemave më të mëdha të dyshuara të mashtrimit financiar të zbuluara në Shqipëri. Ai u shpall në kërkim ndërkombëtar në muajin maj 2026, pasi Gjykata e Tiranës caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale të dyshuara të mashtrimit kompjuterik dhe pastrimit të parave.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Tiranës, Pepnikaj dyshohet të ketë qenë një nga organizatorët e një rrjeti call center-ash që operonin nga Shqipëria dhe kishin si objektiv qytetarë të vendeve të Bashkimit Europian. Sipas dosjes, operatorët prezantoheshin si këshilltarë financiarë dhe bindnin viktimat të investonin në platforma të rreme të bursës, kriptovalutave dhe produkteve të tjera financiare. Dëmi ekonomik i dyshuar llogaritet mbi 50 milionë euro.
Hetimi, i cili zgjati rreth dy vjet, u zhvillua në bashkëpunim me autoritetet austriake dhe përfshiu analizimin e transaksioneve bankare, komunikimeve dhe strukturës së kompanive të përdorura në aktivitetin e dyshuar kriminal. Sipas prokurorisë, rrjeti funksiononte me një organizim të mirëfilltë, me operatorë të trajnuar në gjuhë të huaja, përdorim identitetesh të rreme dhe sisteme komunikimi të sofistikuara.
Nga të dhënat e regjistrit tregtar rezulton se Pepnikaj ka qenë bashkëthemelues dhe zotërues i 50% të aksioneve të shoqërisë “Gama Media Communication”, e krijuar në korrik 2021 së bashku me Jurgen Melën. Kompania e pezulloi aktivitetin pas rreth tetë muajsh. Hetuesit po verifikojnë nëse ajo është përdorur si pjesë e skemës së dyshuar të mashtrimit.
Sot, pas disa javësh në kërkim, Pepnikaj është arrestuar nga Policia e Shtetit, duke i dhënë një zhvillim të ri një prej dosjeve më të mëdha të mashtrimit ndërkombëtar me call center-a që po hetohen në Shqipëri.







