Ballina Politika Tabaku: Qeveria kopjoi propozimin për prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara,...

Tabaku: Qeveria kopjoi propozimin për prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara, protesta e detyroi të tërhiqej

83
0

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi se qeveria është detyruar nga presioni qytetar të rikthejë një propozim të saj për rritjen e mbështetjes financiare ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe prindërve që kujdesen për ta.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku thekson se pagesa minimale për një fëmijë me aftësi të kufizuara është vetëm 5,700 lekë në muaj, ndërsa pagesa për një prind kujdestar arrin në 14 mijë lekë.

“5,700 lekë është pagesa minimale për një fëmijë me aftësi të kufizuara. Sa 30 bukë në muaj. Ndërsa pagesa për një prind që kujdeset për një fëmijë me aftësi të kufizuara është vetëm 14 mijë lekë. Të dyja janë garanci vetëm për mbijetesën”, shprehet Tabaku.

Deputetja e PD kujton se vitin e kaluar depozitoi në Kuvend një nismë ligjore, të hartuar edhe mbi historitë e Mirës dhe Jonës, për dyfishimin e pagesave minimale dhe maksimale për personat me aftësi të kufizuara.

Sipas saj, propozimi parashikonte gjithashtu njohjen si vite pune të periudhës së përkujdesjes dhe pagesën e sigurimeve shoqërore për prindërit që detyrohen t’i përkushtohen tërësisht kujdesit ndaj fëmijëve të tyre.

“E morën dhe e hodhën në kosh me arrogancë. E refuzuan. Sot e kanë nxjerrë nga sirtarët, e kanë kopjuar dhe, përmes ndryshimeve në buxhet, e kanë sjellë si propozim të tyre”, deklaron Tabaku.

Ajo argumenton se ndryshimi i qëndrimit të qeverisë nuk lidhet me ndjeshmërinë sociale, por me presionin e protestave dhe frikën nga humbja e pushtetit.

“Mos mendoni se po e bëjnë nga simpatia apo empatia. Po e bëjnë nga frika e humbjes së pushtetit dhe nga presioni që protesta ka ushtruar mbi qeverinë”, thekson deputetja demokrate.

Tabaku e cilëson këtë vendim si provë se bashkimi dhe presioni qytetar mund ta detyrojnë qeverinë të tërhiqet dhe të pranojë propozime që më parë i kishte refuzuar.

“Fuqia, bashkimi dhe presioni i qytetarëve e kanë detyruar qeverinë të marrë këtë vendim. Ky është një shembull se vetëm duke qenë bashkë mund ta rrëzojmë këtë sistem. Prandaj sot, më shumë se kurrë, në shesh”, përfundon Tabaku.