Ballina Ekonomia Miratohen 254 aplikimet e para për fermerët, përfitojnë 735 mijë euro kompensim...

Miratohen 254 aplikimet e para për fermerët, përfitojnë 735 mijë euro kompensim nga TVSH

80
0

Deri tani 258 fermerë kanë aplikuar online në e-Filing për rimbursimin e TVSH-së 10% nëpërmjet vlerës së autofaturave të lëshuara nga grumbulluesit.

Nga aplikimet e kryesore, në proces shqyrtimi apo të miratuar janë 254 aplikime me vlerë kompensimi në shumë e 735 mijë eurove.

Të dhënat janë bërë publike nga administrata tatimore.

Aplikimet nisën më 1 Korrik. Në total sipas të dhënave të administratës tatimore, numri i fermerëve të pajisur me NIPT është 113,470.

Pas aplikimit, masa e kompensimit të TVSH-së për fermerët do të llogaritet direkt nëpërmjet vlerës së autofaturave që përpunuesi apo grumbulluesi ka lëshuar për fermerin, si blerës i produkteve bujqësore.

Procedurat për aplikim sipas udhëzuesit

Aplikimet do të kryhen në e-Filing, fermeri duhet të jetë i pajisur me NIPT dhe të verifikojë autofaturat që do t’i shfaqen në sistem.Sipas udhëzuesit fermerët e pajisur me NIPT, fillimisht duhet të identifikohen në e-Filing tek menuja “Çështje e re”, duke zgjedhur kërkesën “Për rimbursim të fermerëve”.

Pas hyrjes në e-Filing fermerët duhet të plotësojnë te rubrika “Detajet e bankës” të dhënat e llogarisë bankare me numrin IBAN.

Pas plotësimit të kërkesës, në sistem fermerit do t’i shfaqen autofaturat e periudhës janar-qershor, të cilat duhet të identifikohen nga fermeri.
Pas identifikimit të autofaturave, sistemi do të llogarisë automatikisht vetë shumën totale të autofaturave dhe shumën e përfitimit të kompensimit 10%.

Po ashtu, sistemi kontrollon afatin, faturat dhe llogarinë para se ta pranojë.

Sipas tatimeve, kërkesa do të marrë statusin “ Në proces ”. Përgjigjen e kërkesë fermeri e gjen te menuja “ Të dorëzuara ”.

Me kërkesë të Administratës Tatimore mund të bashkëngjitet edhe dokumente shtesë sipas informacionit të kërkuar.

Theksojmë se fermeri për përfituar kompensimin, duhet të jetë i pajisur me numër identifikimi (NIPT) nga Administrata Tatimore, pa pasur detyrim për deklarim periodik të TVSH- së. Qarkullimi vjetor nuk duhet të tejkalojë kufirin minimal të regjistrimit për TVSH.

Në vend fermerët që shesin produktet e tyre bujqësore/blegtoralë, nuk bëhen automatikisht subjekt i TVSH-së (pra nuk regjistrohen për TVSH) nëse qarkullimi i tyre vjetor është deri në 10 milionë lekë.

Nëse qarkullimi kalon 10 milionë lekë, fermeri duhet të regjistrohet si subjekt i TVSH-së (tatimpagues i zakonshëm).

Nëse fermeri do të rezultojë të jetë i regjistruar me TVSH, aplikimi i tij në këtë rast do të bllokohet. Aplikimi do të bllokohet edhe për rastet kur fermeri nuk zgjedh faturat e shfaqura në sistem, nuk jep të dhënat e llogarisë bankare me numrin IBAN, nëse rezulton me status pasiv në tatime apo aplikon pas përfundimit të afatit./Monitor