Ballina Politika Beleri në Parlamentin Europian: Shqipëria nuk është gati për BE, sulmon reformën...

Beleri në Parlamentin Europian: Shqipëria nuk është gati për BE, sulmon reformën në drejtësi dhe mbron Berishën e Metën

85
0

Eurodeputeti Fredi Beleri ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke deklaruar në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri se vendi nuk i ka përmbushur ende standardet për anëtarësim.

Gjatë fjalës së tij në Parlamentin Europian, Beleri ngriti shqetësime për funksionimin e sistemit të drejtësisë, zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe procesin e vettingut. Ai pretendoi se reforma në drejtësi ka pasur mangësi, ndërsa përmendi edhe rastin e gjyqtarëve që, sipas tij, kanë procese të hapura në vende të tjera të Bashkimit Europian.

Në të njëjtën linjë, Beleri u ndal edhe te çështjet e ish-presidentit Ilir Meta dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke lënë të kuptohet se ata janë përballur me padrejtësi nga sistemi i drejtësisë në Shqipëri.

Deklarata më e fortë ishte ajo mbi procesin e integrimit. Sipas Belerit, ata që deklarojnë se Shqipëria është gati për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian nuk pasqyrojnë realitetin.

“Disa thonë që Shqipëria është gati për t’u anëtarësuar. Këta persona ose nuk e shohin situatën siç është aktualisht, ose kanë një imazh të gabuar të saj”, u shpreh ai.

Qëndrimi i eurodeputetit vjen në një moment kur institucionet shqiptare dhe qeveria po e paraqesin hapjen e kapitujve të negociatave si dëshmi të progresit në rrugën drejt BE-së. Deklaratat e tij pritet të nxisin debat politik në Tiranë, pasi kundërshtojnë hapur narrativën zyrtare për ecurinë e procesit të integrimit dhe rikthejnë në qendër të diskutimit reformën në drejtësi.