Ura që lidh fshatin Gjuricaj, në njësinë administrative Ishëm, me rrugën kryesore është degraduar pothuajse plotësisht, duke ngritur shqetësime se së shpejti mund të bëhet e pakalueshme.
Banorët e zonës thonë se prej vitesh janë detyruar ta riparojnë urën me fondet e tyre, pasi sipas tyre ka munguar çdo ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe rikonstruksionin e saj.
Sipas tyre, ura është jetike për komunitetin, pasi shërben si lidhja kryesore e katër fshatrave me aksin rrugor. Nëse ajo bëhet e pakalueshme, banorët do të detyrohen të përshkojnë dhjetëra kilometra shtesë për të arritur në destinacionet e tyre.
Të zhgënjyer nga mungesa e investimeve, banorët shprehen se, pavarësisht se janë taksapagues të rregullt, nuk po marrin shërbimet bazike që u takojnë.
Përveç gjendjes së urës, komuniteti ngre shqetësimin edhe për ndotjen alarmante të lumit Ishëm. Ata theksojnë se zona është e bekuar me një natyrë të mrekullueshme, por kjo pasuri po rrezikohet nga mungesa e ndërhyrjeve dhe kujdesit institucional.







