Ballina Ekonomia Paqja Fiskale, 62 aplikime, 19 marrëveshje, asnjë rast i dyshuar për pastrim...

Paqja Fiskale, 62 aplikime, 19 marrëveshje, asnjë rast i dyshuar për pastrim parash

81
0

Periudha e parë e aplikimeve për skemën e Paqes Fiskale është mbyllur me rezultate pozitive, duke shënuar 62 aplikime për periudhën tatimore 2026 dhe 19 marrëveshje të konkluduara mes administratës tatimore dhe bizneseve. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë këtij procesi nuk është evidentuar asnjë rast i pastrimit të parave, një tregues që synon të rrisë besueshmërinë e kësaj nisme.

Paqja Fiskale është konceptuar si një mekanizëm që u jep bizneseve mundësinë të formalizojnë vullnetarisht aktivitetin e tyre, përmes një marrëveshjeje me administratën tatimore dhe me kushte më të favorshme krahasuar me procedurat standarde të kontrollit.

Një nga përfitimet kryesore të skemës është eliminimi i kontrolleve tatimore në terren për subjektet që lidhin marrëveshjen, duke krijuar më shumë siguri dhe parashikueshmëri për aktivitetin e tyre ekonomik. Në të njëjtën kohë, bizneset përfitojnë një normë tatimi stimuluese prej 5%, e cila aplikohet pasi subjekti arrin një rritje të formalizimit me të paktën 18%.

Tatimet theksojnë se kjo skemë synon të nxisë formalizimin vullnetar të ekonomisë, të reduktojë informalitetin dhe të krijojë kushte më të drejta konkurrence në treg. Një ekonomi më e formalizuar konsiderohet gjithashtu një garanci më e madhe për mbrojtjen e konsumatorëve, rritjen e transparencës dhe përafrimin e praktikave fiskale shqiptare me standardet e Bashkimit Europian.

Megjithëse raundi i parë i aplikimeve ka përfunduar, bizneset që nuk arritën të aplikojnë do të kenë edhe dy mundësi të tjera. Administrata Tatimore ka njoftuar se aplikimet do të rihapen në periudhat 1–15 prill 2027 dhe 1–15 prill 2028.

Këto dritare të reja aplikimi u japin subjekteve kohë për të vlerësuar përfitimet e skemës dhe për të ndërmarrë hapat e nevojshëm drejt formalizimit, në një proces që synon të ndërtojë një marrëdhënie më bashkëpunuese mes administratës tatimore dhe biznesit. /ekofin.al