Ballina Bota Kultura e kafeneve në Iran përballet me presion politik dhe ekonomik

Kultura e kafeneve në Iran përballet me presion politik dhe ekonomik

63
0

Për të rinjtë iranianë, kafenetë janë një strehë – një vend i sigurt për t’u takuar, për të kaluar kohë me miqtë dhe për t’u çlodhur.

“Më pëlqen të shkoj në kafene, sepse aty sheh njerëz të llojeve dhe karaktereve të ndryshme, por të gjithë shoqërohen në të njëjtin vend”, thotë për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë, Ainaz, një 19-vjeçare nga Teherani.

“Kam kafenenë time të preferuar, por më pëlqen të provoj edhe vende të tjera me atmosferë ndryshe. Në kafene ndihem më e lirë sesa në rrugë”, shton Ainaz, e cila, për arsye sigurie, do që të identifikohet vetëm me emër.

Por, kjo kulturë e kafeneve në Iran – një pjesë e rëndësishme e jetës shoqërore urbane, veçanërisht për të rinjtë – po përballet me presion nga kriza e thellë ekonomike dhe shtimi i kufizimeve nga autoritetet.

Presioni ekonomik

Çmimet e kafesë dhe ushqimit janë rritur ndjeshëm për shkak të inflacionit të lartë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon që inflacioni në Iran të arrijë gati 69 për qind këtë vit – niveli më i lartë që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

Vitet e sanksioneve ndërkombëtare dhe keqmenaxhimi nga autoritetet e kanë dëmtuar rëndë ekonominë iraniane.

Lufta e Iranit me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, që nga fundi i shkurtit, e ka shtyrë vendin me 90 milionë banorë në prag të kolapsit ekonomik.

Sektori i kafeneve e ndien gjithashtu këtë presion.

Pronarët po përballen me rritje të kostove, ndërsa klientët po i kufizojnë shpenzimet.

Një grua nga Teherani thotë se 250 gramë kafe tani kushtojnë deri në 15 milionë rialë (rreth 8 dollarë amerikanë) – dyfish më shumë se një vit më parë.

“Vetëm imagjinoni se sa e shtrenjtë është bërë një kafe në kafene”, thotë ajo për Radion Farda, por nuk do që të identifikohet për arsye sigurie.

Një tjetër banor i Teheranit, 41 vjeç, thotë se gjatë ndërprerjes gati tremujore të internetit – pasi autoritetet bllokuan qasjen pas sulmeve të para të SHBA-së dhe Izraelit më 28 shkurt – ai shkonte në kafene “pothuajse çdo ditë”.

“Kafenetë ishin i vetmi vend ku mund ta mbanim lart moralin, të takoheshim me miqtë dhe të mos ndiheshim të izoluar”, thotë ai për Radion Farda – po ashtu duke kërkuar anonimitet.

Ai thotë se nuk ka hequr dorë nga vizitat në kafene, por se ka ndryshuar atë që porosit.

“Në vend të kësaj, kam filluar të zgjedh pije më të lira, si çaji”, thotë ai.

Presioni politik

Përveç krizës ekonomike, kafenetë në Iran po përballen edhe me presion në rritje nga autoritetet.

Pas protestave masive antiqeveritare të janarit dhe luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, ato janë bërë pjesë e goditjes më të gjerë ndaj lirive shoqërore.

Prej vitesh, autoritetet kanë mbyllur kafene për shkak të muzikës perëndimore, vallëzimit mes burrave dhe grave, apo lejimit të grave pa hixhab – veprime që janë të ndaluara në Iran.

Edhe muajt e fundit janë mbyllur disa lokale.

Në fillim të qershorit, policia mbylli me forcë një kafene në qendër të Teheranit, pasi aty u interpretua muzikë live.

Autoritetet e akuzuan lokalin për promovimin e “sekteve devijante” dhe “aktiviteteve satanike”.

Ndërsa në mars, u urdhërua mbyllja e zinxhirit të njohur të kafeneve Lamiz, pasi dizajnet në gotat e kafesë u konsideruan politikisht fyese.

Vëzhguesit thonë se për autoritetet, problem nuk janë vetëm kafenetë, por edhe ajo që ato përfaqësojnë: hapësira ku të rinjtë takohen, shoqërohen dhe shprehin një stil jetese që shpesh bie ndesh me vlerat e promovuara nga udhëheqja fetare e vendit.

Organizatat për të drejtat e njeriut e kanë kritikuar prej kohësh Iranin për kufizimin e lirisë së shprehjes, zbatimin e rregullave të rrepta për veshjen e grave dhe kufizimin e aktiviteteve publike e kulturore.

Politikani konservator, Saeed Jalili, e ka cilësuar kulturën e kafeneve si një projekt perëndimor që synon të dobësojë vlerat tradicionale të familjes.

“Ata krijojnë një ‘hapësirë të tretë’, si kafeneja, ku njerëzit largohen nga vetmia. Në këtë koncept, familja e humb kuptimin dhe kjo bie ndesh me filozofinë islame të martesës”, ka thënë ai në dhjetor të vitit 2025.

Por, pavarësisht presionit, shumë kafene vazhdojnë të jenë plot.

“Njerëzit thonë se nuk kanë më mundësi të kursejnë apo të udhëtojnë, prandaj zgjedhin të kalojnë mbrëmjen në një kafene”, thotë një 40-vjeçare nga Teherani për Radion Farda.

“Për shumë njerëz, kafenetë janë vendi i vetëm ku ende mund të gjejnë pak gëzim dhe normalitet”, sipas saj.

Përtej kafesë dhe çajit, shumë prej tyre janë shndërruar në qendra kulturore, ku organizohen promovime librash, shfaqje filmash, punëtori arti dhe koncerte – aktivitete që u ofrojnë të rinjve iranianë një hapësirë për t’u shoqëruar dhe shprehur lirshëm.

“Është si një shtëpi e dytë, si për klientët, ashtu edhe për ne”, thotë pronari i një kafeneje në Teheran. / REL