Ballina Aktualitet Përplasja për auditimet në ASHK/ Drejtoresha e Kadastrës përgënjeshtron kreun e KLSH:...

Përplasja për auditimet në ASHK/ Drejtoresha e Kadastrës përgënjeshtron kreun e KLSH: Deklaratat nuk përputhen me realitetin

96
0

Drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, ka përgënjeshtruar zyrtarisht deklaratat e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, i cili ka pretenduar publikisht se institucioni që ai drejton është penguar prej më shumë se një viti e gjysmë për të kryer auditime në Kadastër.

Gjatë raportimit së saj në nënkomisionin parlamentar për Auditimin e Sektorit Publik, pas pyetjeve të drejtuara nga deputeti Xhelal Mziu, Goxhobelli i cilësoi këto pretendime si të pavërteta dhe të papërputhshme me dokumentacionin zyrtar.

Drejtoresha e ASHK-së bëri me dije se ka vënë në lëvizje Kuvendin dhe Kryeministrin përmes një shkrese zyrtare ku listohen të gjitha auditimet e kryera, duke theksuar se KLSH ka pasur akses të plotë si në dokumente, ashtu edhe në sistemet digjitale. Ajo sqaroi se nga viti 2019 deri në vitin 2026 janë zhvilluar dhjetëra auditime dhe aktualisht dy të tjera janë në proces e sipër, çka rrëzon pretendimet për bllokim.

“Deklaratat publike për ‘asnjë lloj aksesi’ dhe ‘as akses minimal’, nuk na rezulton të përputhen me evidencat administrative që kemi në institucion. Të gjithë audituesit kanë pasur rolin audit në përputhje me kuadrin ligjor dhe janë aktivë edhe sot,” deklaroi Goxhobelli, duke shtuar se mbetet e paqartë pse kreu i KLSH-së nuk ka zgjedhur rrugën e komunikimit të drejtpërdrejtë institucional për të sqaruar çdo pretendim përpara se t’i drejtohej Kuvendit.

Deklarata e drejtoreshës së ASHK-së e bën të paqartë se kush ka të drejtë në këtë përplasje institucionale. Kujtojmë se kreu i KLSH-së, Arben Shehu, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, pretendoi se mungesa e aksesit pengon kryerjen e auditimeve në një sektor me rëndësi të veçantë si ai i pronave. Sipas tij, transparenca në regjistrimin e pronave dhe garantimi i informimit të qytetarëve janë detyrime ligjore që duhet të respektohen, ndërsa theksoi se problematikat kërkojnë monitorim të vazhdueshëm dhe se janë depozituar tashmë edhe kallëzime penale për çështje që lidhen me ASHK-në.

Kjo përplasje mes krerëve të dy institucioneve vjen në një moment delikat për drejtuesen e Kadastrës. Kujtojmë se SPAK ka sekuestruar celularin e drejtores së Përgjithshme të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, në kuadër të një hetimi që po kryhet për abuzime me pronat në zonën e bregdetit të jugut.