Ballina Politika Qeveria miraton vendimin, Shqipëria hap ambasadë në Republikën e Irlandës

Qeveria miraton vendimin, Shqipëria hap ambasadë në Republikën e Irlandës

69
0

Shqipëria do të rikthejë përfaqësinë e saj diplomatike në Irlandë.

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për hapjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Dublin, një ambasadë e cila kishte qenë e mbyllur prej vitesh.

Vendimi është marrë me propozim të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe parashikon rikthimin e ambasadës shqiptare në kryeqytetin irlandez, me synim forcimin e marrëdhënieve diplomatike, ekonomike dhe konsullore mes dy vendeve.

Në vendimin e qeverisë thuhet se shpenzimet për hapjen dhe funksionimin e ambasadës do të përballohen nga buxheti i vitit 2026, përmes programit “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit” dhe fondeve të parashikuara për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është ngarkuar me zbatimin e vendimit, i cili do të hyjë në fuqi pas publikimit në “Fletoren zyrtare”.

Vendimi:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 25, të ligjit nr.24/2026, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Hapjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Dublin, Republika e Irlandës.
Shpenzimet për hapjen e kësaj ambasade përballohen nga buxheti i vitit 2026 i miratuar në programin “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit” dhe zëri “Shpenzime korrente” për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA