Ballina Bota ​Dyshohet për mbi 500 viktima pas fundosjes së dy varkave me Rohingya...

​Dyshohet për mbi 500 viktima pas fundosjes së dy varkave me Rohingya në Gjirin e Bengalit

37
0

Mbi 500 persona dyshohet se kanë humbur jetën, në raste të ndryshme, pasi dy varka me pjesëtarë të pakicës Rohingya nga Mianmari u fundosën në Gjirin e Bengalit, njoftuan të enjten Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) dhe Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR).

Sipas të dhënave paraprake, të dyja varkat u nisën nga shteti perëndimor Rakhine në fund të qershorit, duke transportuar kryesisht refugjatë Rohingya, përfshirë edhe persona që kishin ardhur nga kampet e refugjatëve në Bangladeshin fqinj.

Njëra varkë, me rreth 250 persona në bord, humbi kontaktin menjëherë pas nisjes. Varka e dytë, me rreth 280 pasagjerë, besohet se u fundos më 8 korrik pranë brigjeve të Ayeyarëady në Mianmar.

UNHCR dhe IOM thanë se, megjithëse incidentet dhe numri i viktimave ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, ekziston shqetësim i madh për humbjen potencialisht shkatërruese të jetëve njerëzore.

Rohingyat, të cilët prej vitesh largohen nga Mianmari dhe kampet e mbipopulluara të refugjatëve në Bangladesh, zakonisht shmangin udhëtimet detare gjatë kësaj periudhe për shkak të sezonit të stuhive me reshje masive dhe kushteve të rrezikshme në det. Sipas agjencive të OKB-së, reshjet e dendura dhe përmbytjet e fundit në rajon e kanë bërë këtë udhëtim edhe më të rrezikshëm.

Rreth 1.2 milionë Rohingya pa shtetësi vazhdojnë të jetojnë në kampe të mbipopulluara në Bangladesh, pasi u larguan nga dhuna e ushtrisë së Mianmarit, shkruan AP. Ata nuk kanë mundësi të kthehen në mënyrë të sigurt në vendlindje, ku ushtria, e akuzuar nga Shtetet e Bashkuara për gjenocid ndaj Rohingyave në vitin 2017, vazhdon të mbajë pushtetin.

Situata është përkeqësuar edhe nga shkurtimi i ndihmës ndërkombëtare dhe përplasjet e vazhdueshme mes ushtrisë së Mianmarit dhe një grupi të armatosur etnik për kontrollin e shtetit Rakhine.