Vijon të rëndohet bilanci i helmimit masiv në Gostivar, ku numri i të prekurve ka kaluar 2.900. Hetimet kanë zbuluar pompa të paligjshme që futnin ujë nga lumi Vardar në rrjetin e ujësjellësit, ndërsa tre zyrtarë janë arrestuar. Autoritetet mbajnë ende në fuqi ndalimin e përdorimit të ujit të pijshëm.
TXT Epidemia e helmimit në Gostivar ka prekur mbi 2.900 persona, ndërsa qindra qytetarë vazhdojnë t’u drejtohen çdo ditë spitaleve me simptoma gastrointestinale. Autoritetet dyshojnë se epidemia lidhet me ndotjen e ujit të pijshëm. Analizat laboratorike kanë zbuluar se në rrjetin e ujësjellësit niveli i baktereve ishte 48 herë mbi kufirin e lejuar.
Gjatë një kontrolli në fshatin Vërtok u zbulua se në tubacionin kryesor të ujësjellësit ishin vendosur në mënyrë të paligjshme pompa që injektonin drejtpërdrejt ujë nga lumi Vardar në rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm, çka konsiderohet shkaku i mundshëm i kontaminimit. Epidemiologet vlerësojnë se zbulimet e fundit e përforcojnë ndjeshëm hipotezën se epidemia është shkaktuar nga kontaminimi mikrobiologjik i ujit.
Ndërkohë, ndalimi i përdorimit të ujit të pijshëm në Gostivar mbetet në fuqi. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të mos e përdorin ujin e rrjetit as për pije dhe as për përgatitjen e ushqimit deri në daljen e rezultateve përfundimtare laboratorike që do të konfirmojnë se ai është i sigurt.







