Ballina Kosovë 570-vjetori i mbrojtjes së Beogradit nga Janos Hunyadi, që dikur kishte bashkëpunuar...

570-vjetori i mbrojtjes së Beogradit nga Janos Hunyadi, që dikur kishte bashkëpunuar me Skënderbeun

76
0

Ambasada e Hungarisë në Kosovë ka kujtuar 570-vjetorin e mbrojtjes së suksesshme të kalasë së Nandorfehervar-it, Beogradit të sotëm, nga komandanti hungarez Janos Hunyadi dhe aleatët e tij, duke e cilësuar këtë ngjarje si një pikë kthese në historinë evropiane.

Në një postim në Facebook, ambasada rikujton se në korrik të vitit 1456, Hunyadi udhëhoqi mbrojtjen e fortesës, e cila në atë kohë ishte kështjella kufitare më e madhe dhe më e fortifikuar e Mbretërisë së Hungarisë dhe konsiderohej porta jugore e saj, transmeton KosovaPress.

Sipas ambasadës, Hunyadi, i cili më herët kishte bashkëpunuar me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun në luftërat kundër osmanëve, kishte forcuar kalanë me shpenzimet e veta, ndërsa mbrojtësit, të udhëhequr nga Mihaly Szilagyi, i rezistuan ushtrisë osmane që kishte nisur rrethimin më 4 korrik 1456.

Më 14 korrik, forcat ndihmëse të Hunyadit shkatërruan flotiljen osmane në lumin Danub dhe hynë në kala me trupa të freskëta. Sulmi vendimtar osman i 21 korrikut u zmbraps, ndërsa sulltan Mehmeti II, i plagosur gjatë luftimeve, u detyrua të ndërpriste rrethimin dhe të tërhiqej më 22 korrik.

Ambasada thekson se kjo fitore ngriti moralin e forcave evropiane dhe krijoi një pengesë strategjike që ndali zgjerimin osman drejt Evropës përtej Ballkanit për rreth 70 vjet.

Po ashtu, në postim thuhet se, megjithëse Hunyadi fitoi famë si një nga udhëheqësit më të shquar ushtarakë të kohës, ai vdiq nga murtaja vetëm disa javë pas betejës.

Sipas ambasadës, Beteja e Beogradit pati rëndësi edhe për zhvillimin e artit ushtarak, pasi dëshmoi rolin gjithnjë e më të madh të armëve të zjarrit dhe artilerisë, duke shënuar fillimin e një epoke të re në teknologjinë dhe taktikat e luftës.