Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka përshëndetur vendimin e kompanisë ajrore Wizz Air për të vendosur bazën e saj në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, duke e cilësuar këtë si një zhvillim të rëndësishëm për Kosovën.
Postimi i plotë
Vendimi i Wizz Air për ta vendosur bazën e saj në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, bashkë me avionin e ri Airbus A321neo, me kapacitet prej 239 ulësesh, përbën një lajm të mirë për Republikën tonë.
Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë adresë për kompanitë ndërkombëtare, si vend i besueshëm, me perspektivë të qartë dhe me potencial për investime. Ndërsa për ne shtimi i linjave ajrore është çështje strategjike.
Zhvillime si ky i shërbejnë fuqizimit në planin ekonomik, infrastrukturor e zhvillimor, sikurse krijojnë mundësi për lidhje të reja, lehtësojnë lëvizjen, afrojnë mërgatën tonë me vendlindjen dhe qytetarët e Kosovës me Evropën.