Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ka ngritur akuza lidhur me financimin e ekspozitave artistike të kryeministrit Edi Rama jashtë Shqipërisë. Në një deklaratë për mediat, Vangjeli ka pretenduar se ndërsa qytetarët shqiptarë përballen me rritje të kostos së jetesës, taksa më të larta dhe vështirësi ekonomike, kryeministri vijon të prezantojë punët e tij artistike në disa prej galerive dhe aktiviteteve më të njohura ndërkombëtare.
Sipas saj, Rama ka zhvilluar ekspozita personale dhe ka marrë pjesë në aktivitete artistike në vende si Gjermania, Franca, Italia, Greqia, Portugalia, Shtetet e Bashkuara, Turqia dhe Kina, si dhe në evente të rëndësishme si Bienalja e Venecias, Centre Pompidou-Metz dhe Art Basel. Ajo ka pretenduar se vetëm kostot e përdorimit të hapësirave ekspozuese në dy ekspozitat e fundit mund të arrijnë në qindra mijëra euro.
Sipas deklaratës së saj, një prej ekspozitave, “Chrysalizing”, e zhvilluar në galerinë Société në Berlin, nga 1 maji deri më 27 qershor 2026, ka zgjatur 58 ditë dhe përbën një nga aktivitetet për të cilat opozita kërkon transparencë mbi burimin e financimit. Deri tani, deklarata e PD-së është një akuzë politike, ndërsa nuk janë paraqitur dokumente apo prova publike që të vërtetojnë pretendimet për mënyrën e financimit të ekspozitave.
Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:
Dhjetëra ekspozita ndërkombëtare, qindra ditë ekspozim, kush i financon ekspozitat e Edi Ramës? Ndërsa shqiptarët përballen me varfëri, taksa gjithnjë e më të larta dhe një kosto jetese që rritet çdo ditë, Kryeministri Edi Rama vijon të ekspozojë punët e tij artistike në galeritë më prestigjioze të botës , në ekspozita personale në Gjermani, Francë, Itali, Greqi, Portugali, Shtetet e Bashkuara, Turqi, Kinë dhe vende të tjera, apo pjesëmarrjeve në Bienalen e Venecias, Centre Pompidou-Metz, Art Basel etj.
Vetëm për përdorimin e hapësirave ekspozuese gjatë dy ekspozitave të fundit shpenzimet mund të arrijnë qindra mijëra euro, konkretisht: Ekspozita ‘Chrysalizing’, e zhvilluar në galerinë Société në Berlin nga 1 maji deri më 27 qershor 2026, zgjati 58 ditë. Po kështu, ekspozita personale në Marian Goodman Gallery në Paris, nga 8 qershori deri më 26 korrik 2024, zgjati 49 ditë.
Hapësirat e ekspozimit të këtyre niveleve, mund të kërkojnë kosto shumë të larta pa llogaritur e përfshirë transportin e veprave, siguracionin, montimin, promovimin dhe shpenzime të tjera organizative. Ndërkohë, Edi Rama ka zhvilluar ekspozita të tjera në Athinë, Napoli, Berlin, (SHBA), Stamboll, Hong Kong, Mynih dhe vende të tjera.
Në këto kushte, Partia Demokratike dhe opinioni publik kërkon transparencë për: A janë deklaruar në mënyrë të detajuar pranë institucioneve përgjegjëse të gjitha të dhënat nëse këto ekspozita janë kryer me shpenzime personale nga vetë Edi Rama, nga galeritë pritëse, nga sponsorë privatë apo nga subjekte të tjera? Kush dhe sa janë paguar për të mbuluar kostot e transportit ndërkombëtar të veprave, sigurimit, montimit, promovimit dhe organizimit të secilës nga këto ekspozita? Partia Demokratike i kërkon institucioneve përgjegjëse të verifikojnë nëse janë respektuar të gjitha detyrimet ligjore që lidhen me sa më lart. Transparenca nuk është çështje preference, është detyrim kushtetues dhe ligjor. Askush, as Kryeministri i Shqipërisë, nuk mund të jetë mbi ligjin.







