Një shpatë drite me dorën e prerë të Luke Skywalker-it nga filmi “The Empire Strikes Back” është shitur në ankand për 3.75 milionë dollar ka raportuar AP.
Heritage Auctions njoftoi të hënën rezultatet e ankandit të saj “Hollywood & Entertainment Signature Auction”.
Shpata e dritës, e përdorur në ekran nga Mark Hamill në përballjen kulmore në Cloud City, ku Darth Vader thotë frazën ikonike “Unë jam babai yt” në filmin e dytë “Star Wars” të vitit 1980, përfshinte edhe mekanizmin e efekteve speciale me dorën e prerë, i përdorur në skenën kur Vader ia pret dorën të birit.
Heritage bëri të ditur se ky është çmimi më i lartë i paguar ndonjëherë për një objekt skenik të përdorur në një film të sagës “Star Wars”.
Më parë ‘Kapela e Shtrigës së Ligë të Perëndimit’ nga filmi “The Wizard of Oz” (1939), u shit për 550 mijë dollarë, ndërsa kapela ngjyrë kakao i veshur nga Gene Wilder në rolin kryesor të filmit “Willy Wonka and the Chocolate Factory” (1971) u shit për 350 mijë dollarë.
Arka e Daenerys Targaryen me vezët e dragonjve brenda, nga sezoni i parë i serialit “Game of Thrones”, u shit për 312,500 dollarë.
Në ankand u shitën edhe dy qilima që kanë një rol kyç në rrjedhën e ndërlikuar të filmit “The Big Lebowski”.
Qilimi që i përkiste personazhit “The Dude”, të luajtur nga Jeff Bridges, për të cilin thuhet se “e bashkonte të gjithë dhomën” dhe që ndotet në fillim të filmit të vitit 1998, u shit për 350 mijë dollarë.
Ndërsa qilimi më luksoz, të cilin ai e merr nga personazhi i pasur me po të njëjtin emër, u shit për 375 mijë dollarë.
Të dy qilimat u shitën për çmime shumë më të larta se sa pritej. Ankandi për secilin prej tyre nisi nga 15 mijë dollarë.
Identiteti i blerësve dhe shitësve të këtyre objekteve nuk u bë publik.







