Gjykata ka dhënë dënime që në total arrijnë në 100 vite burg. Mes tyre, tetë vite burg janë dhënë për Genti Berishën, i cili më 23 qershor shkaktoi aksidentin rrugor ku humbi jetën efektivi i Policisë Lokale të Milanos, Francesco Imprezzabile, në Peskiera Borromeo.
Kështu u mbyll më 21 korrik procesi me gjykim të shkurtuar ndaj anëtarëve të organizatës që merrej me trafik ndërkombëtar të kokainës.
Operacioni, i koduar “Icaro”, u zhvillua nga hetuesit e Shërbimit Qendror Operativ, SISCO dhe Skuadrës Mobile të Breshias, nën koordinimin e Drejtorisë së Qarkut Antimafia të Breshias, në bashkëpunim me autoritetin gjyqësor shqiptar, SPAK.
Dënimet
Mes dënimeve bie në sy edhe ai ndaj dy vëllezërve shqiptarë nga Elbasani, të konsideruar në krye të qelizës së organizatës kriminale në Breshia dhe të lidhur, sipas hetuesve, me klanin Cela. Ata u dënuan përkatësisht me rreth 14 dhe 15 vite burg.
Sipas hetuesve, klani shqiptar kishte ngritur një “qelizë të Breshias”, e drejtuar nga dy vëllezërit shqiptarë, tashmë të dënuar, Gerardo dhe Shkelqim Pashja. Ata mbështeteshin në transportin dhe magazinimin e drogës nga Simone Paolisso (i lindur në vitin 1981), Roberto Gottardi (i lindur në vitin 1973) dhe Fabrizio Manza (i lindur në vitin 1988), ndërsa një tjetër banor i Breshias, Marco Morandi (i lindur në vitin 1960), së bashku me emisarë të tjerë të klanit, mbante lidhjet me nivelet më të larta të organizatës.
Nga droga e shitur me pakicë në lokalet e zonës së Liqenit të Gardës, Veronës dhe Breshias, hetuesit arritën të rindërtonin rrugët e trafikut të lëndës narkotike, duke përdorur sekuestrimet dhe arrestimet, që në dukje nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën, si elemente për të mbështetur pistën hetimore.
Hetimi
Në nëntor të vitit 2021, Paolisso u ndalua nga Policia Rrugore e Veronës në autostradë me 250 kilogramë kokainë të pastër, ende të papërzier. Sipas hetimeve, kjo ishte një nga ngarkesat e destinuara për qelizën e organizatës në Breshia.
Përmes një aktiviteti të kujdesshëm përgjimesh dhe ndjekjesh, Policia italiane dhe ajo shqiptare rindërtuan të gjithë aktivitetin e klanit. Drejtuesit e klanit Cela nga qyteti i Elbasanit lëviznin në vende të ndryshme të botës, drejt Kolumbisë dhe Ekuadorit për të takuar prodhuesit e kokainës në Amerikën e Jugut, por edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Dubai.
Ngarkesat me kokainë të pastër mbërrinin në portet e Belgjikës dhe Holandës, ku organizata kishte bashkëpunëtorë mes punonjësve portualë. Më pas ato ngarkoheshin në kamionë të pajisur posaçërisht dhe transportoheshin në magazina të marra me qira në Breshia.
Pasi mbërrinte në Breshia, droga, e cila në atë fazë kishte një vlerë me shumicë prej 40 mijë eurosh për kilogram, shpërndahej te organizata më të vogla në qytete të ndryshme të veriut të Italisë.
“Nuk ishte e lehtë të ndiqnim lëvizjet e këtij grupi”, kishte deklaruar prokurorja Roberta Panico, e cila drejtoi hetimet. “Këta persona komunikonin mes tyre vetëm përmes telefonëve të enkriptuar.”







