Ballina Politika ‘E përdhunuan’, Rama ofendon nënën e fëmijës autik dhe protestuesit që i...

‘E përdhunuan’, Rama ofendon nënën e fëmijës autik dhe protestuesit që i kërkojnë dorëheqjen: Jeni terroristë

38
0

Kryeministri Edi Rama theksoi se nëna dhe djali i saj me spektër autik, të cilët u prekën nga gazi lotsjellës gjatë protestës së djeshme pranë Parlamentit, u përdorën politikisht nga ata që i cilëson si “sorrat dhe korbat” e bulevardit.

Në mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar të PS-së, kryeministri drejtoi gishtin ndaj protestuesve dhe jo ndaj Policisë që hodhi gazin lotsjellës, duke thënë se e përdorën gruan  me “dorën e tyre të solidaritetit hipokrit”.

Sipas Ramës, ata “abuzuan” me dhimbjen e gruas dhe fëmijës së saj me “të njëjtin manual që përdorin terroristët kur abuzojnë gratë e fëmijët”.

“Dje atë nënën me fëmijën me spektër autik, të cilën korbat e kishin marrë me vete te parlamenti për ta kthyer në viktimën e policisë që ishte aty për të mbrojtur deputetët nga të verbrit e dhunshëm të Shqipërisë. Ne sapo i kemi dyfishuar mbështetjen për fëmijët autikë, kemi rritur mbështetjen e dhe për nënat e tyre. Ky është fakti ynë i thjeshtë, ndërsa përjetimi i asaj nëne është krejt tjetër. Ajo mund të mos jetë fare e informuar, ose edhe mund të jetë për dyfishimin e mbështetjes për djalin, por ajo nuk e ka ndjerë kurrë empatinë tonë, në atë fundin e atij hendekut, mes faktit tonë dhe përjetimit tonë dhe përjetimit të vetmisë së saj dëshpëruese.

Aty në fund të hendekut e futën sorrat dhe korbat dorën e solidaritetit të tyre hipokrit për ta marrë me vete te parlamenti dhe për të abuzuar me atë nënë me fëmijën autik, të njëjtin manual që përdorin terroristët kur abuzojnë gratë e fëmijët duke i përdorur si mburojë teksa sulmonin me maska policinë e shtetit. Më pas e vunë dhe përpara kamerës. E përdhunuan dhe e nxorrën ne mexhelis për t’i qarë hallin dhe i kthyen lotët e saj në breshër përmes algoritmit.

Pastaj e lanë në fatin e saj dhe u nisën për tek mikrofoni në bulevard njësoj si ata skuthat e zinj që i kemi parë në përdorimin e këtij manuali, që çojnë të tjerët mish për top dhe më pas kërkojnë solidaritet për të shkretët njerëz duke mbajtur fjalime dhe kërkuar që zoti të dënojë terroristët në pushtet, në emër të viktimave të shtetit policor.”, tha ai.