Ballina Kosovë Kurti: Dorëheqjet ishin akt politik, nuk kemi të drejtë t’u themi kthehuni

Kurti: Dorëheqjet ishin akt politik, nuk kemi të drejtë t’u themi kthehuni

74
0

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke folur për dorëheqjet e ish-prokurorëve e ish-gjyqtarëve serbë nga sistemi i drejtësisë në Kosovë, tha se largimi i tyre ka qenë akt politik dhe i organizuar.

“Braktisja e organizuar dhe politikisht e motivuar e institucioneve të Republikës së Kosovës nga pjesëtarë të komunitetit serb në fund të vitit 2022 ishte pikënisje e një serie veprimesh sabotuese ndaj shtetit. Qysh atëherë, e kemi thënë dhe u kemi bërë thirrje të gjithë serbëve në institucione: ‘Mos i braktisni ato, mos jepni dorëheqje, mos shkoni!’. Por nuk u kemi thënë, e as nuk kemi të drejtë t’u themi: ‘Kthehuni!’. Kishim të drejtë politike t’u themi mos shkoni, por nuk kemi të drejtë kushtetuese e ligjore t’u themi kthehuni. Largimi i tyre ka qenë akt politik, individual, ndonëse i organizuar, por kthimi është çështje ligjore dhe kushtetuese”, tha Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Ai tha se s’mund të bëhet kthimi i tyre në institucione, kur ata sabotuan ligjin dhe Kushtetutën e vendit.

“Nuk mund të ketë kthim që i mbivendoset Kushtetutës e ligjit, veçmas kur braktisja ishte një akt sabotimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Në këtë linjë, gjithnjë sipas kushtetutshmërisë e ligjshmërisë, këto dorëheqje i ka trajtuar kohë më parë Policia e Kosovës, dhe ditë më parë edhe Këshilli Prokurorial. Ndërkaq sot, teksa prisnim që edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës të vepronte njësoj, kuptuam që mbledhja dështoi në mungesë kuorumi. Presim që në mbledhjen e radhës të marrë epilog të tillë edhe kjo çështje”, deklaroi Kurti.