Ballina Ekonomia Falja e detyrimeve, fshihen automatikisht 30 mln euro gjoba për vitet 2015-2024

Falja e detyrimeve, fshihen automatikisht 30 mln euro gjoba për vitet 2015-2024

89
0

Rreth 30 milionë euro gjoba të vendosura nga inspektorët tatimorë për periudhën 2015–2024 janë fshirë automatikisht në zbatim të ligjit për faljen e detyrimeve. Administrata Tatimore njoftoi se janë shuar automatikisht detyrime në vlerën 29.9 milionë euro, nga të cilat kanë përfituar 16,877 tatimpagues.

Gjobat e vendosura nga inspektorët i përkasin periudhës 2015-2024. Administrata tatimore njoftoi se për 29.9 milionë euro detyrime të fshira/shuara automatikisht kanë përfituar 16,877 tatimpagues. Administrata Tatimore thekson se vijon zbatimin e procesit sipas përcaktimeve të ligjit, në mbështetje të formalizimit dhe lehtësimit të barrës për tatimpaguesit.

Gjithashtu më herët Tatimet njoftuan se deri tani janë fshirë ose shuar detyrime në vlerën 332 milionë euro për 122 mijë tatimpagues. 19 marrëveshje të Paqes Fiskale të lidhura për periudhën tatimore 2026. Administrata Tatimore mirëpret çdo tatimpagues që formalizon biznesin e tij vullnetarisht nëpërmjet Paqes Fiskale.

“Procesi i faljes hap një faqe të re me tatimpaguesit në prag të integrimit europian ne funksion të përmirësimit të klimës së biznesit”, theksuan më herët Tatimet.

Ndërsa procesi vijon për të gjithë përfituesit sipas ligjit. Nga data 10 qershor deri më 30 qershor 2026 u zbatua edhe faza e pagesave për përfitimin nga falja me kusht e detyrimeve tatimore, gjobave dhe kamatëvonesave, sipas ligjit nr. 86/2025. Për periudhën 2015–2019 përfitohet fshirje e 50% të detyrimit principal, si dhe fshirje e plotë e gjobave dhe kamatëvonesave, nëse 50% e mbetur paguhet njëherësh nga 10.06.2026 deri më 30.06.2026.

Për periudhën 2015–2019 përfitohet fshirje e 25% të detyrimit principal, si dhe fshirje e plotë e gjobave dhe kamatëvonesave, nëse 75% e mbetur paguhet nga 10.06.2026 deri më 31.12.2026. Për periudhën 2020–2024 përfitohet fshirje e plotë e gjobave dhe kamatëvonesave, nëse paguhet 100% e detyrimit principal nga 10.06.2026 deri më 31.12.2026./Monitor