Ballina Ekonomia Konkurrenca detyron Vodafone dhe One: Paketa më të lira për pensionistët e...

Konkurrenca detyron Vodafone dhe One: Paketa më të lira për pensionistët e studentët, më shumë transparencë për abonentët

46
0

Autoriteti i Konkurrencës, në përfundim të hetimit të thelluar ndaj Vodafone Albania dhe One Albania në tregun me pakicë të shërbimeve celulare, nuk ka ndërmarrë penalitete ndaj operatorëve, por megjithatë ka vendosur kushte dhe detyrime specifike që reflektojnë ankesat e konsumatorëve pranë Autoritetit.

Sipas njoftimit të institucionit, vendimi i Komisionit të Konkurrencës synon korigjimin e shqetësimeve konkrete që kanë prekur konsumatorët dhe garantimin e çmimeve më të lira për shtresën e pensionistëve dhe studentëve, si dhe më shumë transparencë e mundësi zgjedhjeje për abonentët e të dy operatorëve.

Gjatë periudhës së hetuar u konstatuan rritje progresive dhe të përafërta të çmimeve, ngjashmëri e lartë ndërmjet paketave, reduktim i ofertave me çmime të ulëta dhe mangësi në dokumentimin e kostove që justifikojnë ndryshimet tarifore.

Për pasojë, Autoriteti i Konkurrencës vendosi masa si më poshtë:

• brenda 90 ditëve, të dy operatorët duhet të ofrojnë paketa të veçanta më të favorshme për pensionistët dhe studentët 18–23 vjeç;

• paketa më e lirë duhet të jetë realisht e disponueshme edhe në pikat fizike të shitjes, jo vetëm në aplikacione online apo kanale digjitale;

• pas përfundimit të kontratës, çdo abonent duhet të ketë të drejtë të kalojë në një paketë më të lirë, pa penalitete dhe pa pengesa të pajustifikuara;

• çdo ndryshim në çmim, përmbajtje apo vlefshmëri të paketës duhet t’i njoftohet individualisht abonentit, qartë dhe të paktën 30 ditë përpara;

• çdo rritje çmimi duhet të mbështetet në analiza të dokumentuara të kostove dhe ky dokumentacion duhet të ruhet për pesë vjet;

• paketat e reja duhet të kenë diferencim real dhe të mos kufizojnë zgjedhjen e konsumatorit;

• kontratat tip duhet të marrin vlerësimin paraprak të Autoritetit të Konkurrencës për shmangien e klauzolave të padrejta;

• procedura dhe afati për bartjen e numrit nga një operator te tjetri duhet të shkruhen qartë dhe kuptueshëm në kontratë.

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, vendimi korrigjon probleme konkrete të konsumatorit:ë, si mungesën e informimit, vështirësinë për të zgjedhur një paketë më të lirë, aksesin e kufizuar në ofertat ekonomike, paqartësitë kontraktore dhe mungesën e alternativave për shtresa me të ardhura të ulëta.

Të gjitha detyrimet e vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës do të monitorohen për një vit nga hyrja në fuqi e vendimit. Në rast moszbatimi të një prej pikave të vendimit, Vodafone Albania dhe One Albania do të përballen me penalitetet e parashikuara nga ligji “Për mbrojtjen e konkurrencës”.