Gjoba me vlerë 41.48 milionë lekë, 695 punëmarrës informalë të identifikuar dhe qindra masa pezullimi aktiviteti janë rezultatet kryesore të kontrolleve të zhvilluara nga Inspektorati Shtetëror i Punës gjatë periudhës janar–qershor 2026. Të dhënat tregojnë një intensifikim të ndjeshëm të inspektimeve në të gjithë vendin, me fokus luftën kundër punës informale, mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve dhe rritjen e sigurisë në vendin e punës.
Sipas raportit zyrtar, gjatë gjashtëmujorit të parë janë kontrolluar 5,371 subjekte, ndërsa 4,120 prej tyre, ose 77% e totalit, janë përzgjedhur mbi bazën e analizës së riskut. Paralelisht, 11,567 subjekte të reja janë këshilluar mbi detyrimet dhe të drejtat që burojnë nga legjislacioni i punës.
Në kuadër të luftës kundër informalitetit, inspektorët identifikuan 695 punëmarrës të padeklaruar, 94% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Sipas Inspektoratit, 99.5% e tyre u formalizuan gjatë procesit inspektues përmes masës urgjente “Pezullim Aktiviteti”, duke sjellë rreth 19.98 milionë lekë të ardhura shtesë çdo muaj në buxhetin e shtetit nga deklarimi i tyre.
Masat administrative janë ashpërsuar ndjeshëm. Gjatë kësaj periudhe u vendosën 133 gjoba me një vlerë totale prej 41.48 milionë lekësh, 42% më shumë në vlerë krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2025. Gjithashtu, u aplikuan 644 masa pezullimi aktiviteti, me një rritje prej 36%, si dhe 3,635 paralajmërime, ose 159% më shumë se një vit më parë.
Raporti evidenton gjithashtu rritje të ankesave të trajtuara nga Inspektorati. Janë kryer 592 inspektime të nisura pas ankesave të punëmarrësve, 49% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në 73% të rasteve vendimmarrja ka qenë në favor të punëmarrësve, ndërsa të gjitha inspektimet e iniciuara nga ankesat janë shoqëruar me masa administrative.
Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare, numri i aksidenteve fatale në vendin e punës është përgjysmuar krahasuar me një vit më parë, duke reflektuar efektin e kontrolleve më intensive dhe zbatimit më të rreptë të standardeve të sigurisë dhe shëndetit në punë.







