Nga Red Varaku
Ka një rregull të njohur në teorinë e komunikimit politik, liderët rrallë e ndërtojnë narrativën e tyre mbi fushat ku ndihen të fortë. Përkundrazi, ata përpiqen ta dominojnë debatin pikërisht në atë territor ku perceptojnë dobësinë e tyre më të madhe. Megjithëse duket si paradoks, ky është një mekanizëm i njohur i komunikimit politik.
Kjo sepse duke e zhvendosur vëmendjen te pika e dobët, lideri përpiqet ta riformulojë atë si një projekt shprese, duke e kthyer mungesën në premtim.
Pikërisht për këtë arsye, zgjedhja e Edi Ramës për ta pagëzuar ‘Kthesën e Madhe’ të mandatit të katërt me emrin ‘Besa’ është politikisht shumë më domethënëse sesa mund të duket në shikim të parë.
Në pamje të parë, ‘Besa’ paraqitet si një slogan që synon të shprehë përgjegjësi, korrektësi dhe një raport të ri me qytetarët. Por në leximin politik, slogani nuk flet aq shumë për atë që qeveria pretendon të ndërtojë, sa për atë që ajo ndien se i mungon. Dhe ajo që i mungon sot nuk është pushtet, nuk është kontrolli institucional, nuk është as shumica parlamentare. Ajo që i mungon është pikërisht besimi.
Në fund të fundit, një qeveri që ndjehet e fortë nuk e vendos besimin në qendër të narrativës së saj. Ajo flet për sukseset, rezultatet, investimet, rritjen ekonomike apo projektet strategjike. Vetëm një qeveri që e percepton besimin si problemin e saj më të madh e ndien të nevojshme ta shndërrojë atë në boshtin kryesor të komunikimit politik.
Kjo jo vetëm nuk është rastësi, por është një refleks i njohur në komunikimin politik. Narrativa ndërtohet aty ku perceptohet dobësia më e madhe. Pikërisht sepse perceptimi publik është bërë problemi kryesor, pushteti përpiqet ta ndryshojë atë përmes gjuhës, simboleve dhe sloganeve.
Në këtë kuptim, ‘Besa’ nuk përfaqëson një vizion të ri politik. Ajo është një përpjekje për të riparuar legjitimitetin moral të pushtetit. Është pranimi i heshtur se sfida më e madhe nuk është më ndërtimi i rrugëve, investimeve apo reformave, por rindërtimi i marrëdhënies së besimit me qytetarët.
Dhe kjo është beteja më e vështirë me të cilën mund të përballet një lider politik.
Besimi është i vetmi kapital politik që nuk rikuperohet me shumicë parlamentare, me kontroll institucional apo me dominim mediatik. Ai as nuk imponohet, as nuk blihet, as nuk dekretohet. Ai fitohet ngadalë ama humbet shpejt.
Prandaj, fakti që Kryeministri ndjeu nevojën ta vendosë ‘Besën’ në qendër të mandatit të katërt nuk është, në thelb, një tregues force, por eshtë tregues se ai e percepton krizën kryesore të qeverisjes së tij si një krizë besimi.
Dhe kjo e bën zgjedhjen e këtij slogani shumë më domethënëse sesa vetë slogani. Sepse ndonjëherë, fjala që një lider zgjedh të përsërisë më shumë është pikërisht ajo që qytetaret besojne se i mungon më tepër.







