Ballina Sport Pirlo shpërthen pas debatit për Kombëtaren: Po më atribuojnë bindje që nuk...

Pirlo shpërthen pas debatit për Kombëtaren: Po më atribuojnë bindje që nuk më përkasin

68
0

Andrea Pirlo ka reaguar publikisht pas polemikave që shpërthyen për emërimin e tij të mundshëm në krye të Kombëtares së Italisë, duke mohuar çdo lidhje politike me bashkëpunimin e tij si ambasador i një faqeje bastesh ruse.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ish-mesfushori legjendar shprehet se ka ndjekur me keqardhje debatin e krijuar rreth emrit të tij dhe se deri tani kishte zgjedhur të mos komentonte nga respekti për institucionet dhe Federatën Italiane të Futbollit.

Pirlo thekson se gjatë gjithë karrierës së tij ka vepruar gjithmonë në përputhje me ligjet e vendeve ku ka punuar dhe se bashkëpunimi që ka ngjallur polemika është zhvilluar gjatë periudhës së tij profesionale në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke qenë ekskluzivisht i natyrës tregtare dhe sportive.

“T’i atribuohet këtij bashkëpunimi një domethënie politike do të thotë të më atribuohen bindje që nuk i kam shprehur kurrë dhe që nuk më përkasin”, shkruan ai.

Pirlo falënderoi gjithashtu Paolo Maldinin dhe Leonardo-n për besimin dhe vlerësimin e treguar ndaj tij, ndërsa shprehu zhgënjimin që një çështje sportive u kthye në një debat publik me interpretime politike.

Në fund të reagimit, ai nënvizoi se dashuria e tij për Italinë nuk varet nga një post apo detyrë, por është pjesë e identitetit të tij dhe do ta shoqërojë gjithmonë.