Nga foltorja e Kuvendit, Bardhi deklaroi se deputetëve nuk u është vënë në dispozicion teksti i marrëveshjes, ndërsa po u kërkohet ta miratojnë atë brenda së njëjtës ditë.
Edhe pse ritheksoi se opozita e mbështet në parim marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe investimet në mbrojtje, Bardhi theksoi se nuk mund të pranohet miratimi i saj në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Ai akuzoi qeverinë se ka dështuar për vite me radhë në përmbushjen e detyrimeve ndaj NATO-s dhe paralajmëroi se, nëse miratohet me procedurën aktuale, ligji do të ankimohet dhe do të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese.
Gazment Bardhi: Zoti kryetar na keni ftuar sot në seancë plenare të diskutojmë për një marrëveshje, që na njoftua tani që mund të shkojmë ta marrim te sekretaria e Kuvendit. Ndërkohë që kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit të detyrojnë, që menjëherë sapo projektligji të paraqitet në Kuvend, t’ia shpërndash atë deputetëve. Detyrim të cilin nuk e keni përmbushur. Por mendoni se do të shndërroni Kuvendin e Shqipërisë në një lloj si grupi juaj parlamentar. Për ju është fakt publik, që kryeministri ju ka thënë se jeni vetëm kartona. Nuk duhet të mendoni, nuk duhet të keni ide, nuk duhet të bëni propozime, nuk duhet të lexoni projektligje, vetëm duhet të votoni. Mirëpo ky është rregull i funksionimit për këta anën këtej të Kuvendit. Për grupin tuaj parlamentar, por nuk mund të jetë rregull për Kuvendin e Shqipërisë, aq më pak për këta anën këtej të sallës së Kuvendit të Shqipërisë. Parafolësi këtu tha detajet e marrëveshjes, që do të thotë që ju një pjesë të deputetëve i trajtoni ndryshe dhe një pjesë të deputetëve i trajtoni ndryshe. Folët për një kërkesë të ardhur nga Këshilli i Ministrave që jep argumenta, se pse Kuvendi do të duhet të shkelë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Në fakt nëse do të ishit realisht kryetari i Kuvendit nuk do ta kishit lexuar atë njoftim. Nuk do t’u kishit thënë deputetëve që Këshilli i Ministrave ka sjellë një njoftim, që na kërkon ne të shkelim Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Por unë si kryetar Kuvendi, jam betuar mbi këtë Kushtetutë dhe nuk e lexoj njoftimin, por do t’ia kthej mbrapsht Këshillit të Ministrave, që ta sjelli kërkesën në përputhje me Kushtetutën. Mirëpo për ju Kushtetuta është firma e Edi Ramës. Jo ajo, kontratë që ne kemi lidhur me popullin shqiptar. Ndërkohë që për ne Kushtetuta është kjo, kontrata që kemi lidhur me qytetarët shqiptarë. Na foli zotëria për marrëveshje historike. Për çfarë historie flisni? Keni patur 14 vite kohë qeverisje tuaj për të plotësuar buxhetin e NATO-s, buxhetin e sigurisë dhe detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO. Na flet ti ne që s’kuptojmë ne marrëveshjen?
Po kur zotrote e quaje NATO-n NAT, ky krahu këtej jo vetëm e kuptonte, por firmoste dhe miratonte anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Kur ti protestoje kundër NATO-s, ne kuptonim, lexonim, firmosnim dhe nënshkruanim anëtarësimin, marrëveshjen e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Paaftësia dhe mungesa e vizionit të qeverisë, që e çuan Shqipërinë deri në pikën që rrezikonte anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, sepse nuk ishte përmbushur shpenzimet e mbrojtjes, nuk është kurrë urgjencë. E ka emrin paaftësi, mungesë vizioni. Më pak se 2% është buxheti i mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, në shkelje të angazhimeve si një vend anëtar i NATOS, ndërkohë që Edi Rama mburret publikisht për të kundërtën duke gënjyer. Vetëm pasi aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe media ndërkombëtare zbuluan të vërtetën, qeveria po përpiqet të korrigjojë me nxitim atë që në fakt do të duhej ta kishte planifikuar prej kohësh, për të kufizuar dëmin që i shkakton besueshmërisë së Shqipërisë si aleat i denjë i vendeve të NATO-s. Në këtë kontekst, pa diskutim që marrëveshja 300 milionë euro me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të blerë pajisje ushtarake, të cilën e ripohoj ne nuk e disponojmë akoma, nuk na është vënë në dispozicion siç rregullat e funksionimit të parlamentit e diktojnë, absolutisht që është e mirëpritur. Marrëveshja është e mirëpritur sepse Shqipërisë i duhen investime të tilla. Absolutisht që është një reagim i vonuar, i një qeverie të papërgjegjshme që nuk përmbushi detyrimet ndaj NATO-s dhe lejoi që Shqipërisë t’i vihet në pikëpyetje edhe vetë anëtarësimi i saj në NATO. Siguria kombëtare nuk ndërtohet me propagandë dhe as me reagime të vonuara nën presion. Shqipëria ka nevojë për një qeveri që përmbush angazhimet ndaj NATO-s me përgjegjësi dhe nuk e ekspozon vendin si një aleat jo serioz dhe jo të besueshëm. Prandaj zoti kryetar ju do të duhet të kishit informuar Kuvendin, jo vetëm mbi kërkesën e ardhur nga Këshilli i Ministrave, apo qëndrimin e grupit parlamentar, që kjo marrëveshje e palexuar të votohet brenda ditës së sotme, por dhe për një qëndrim të cilin unë ta kam shprehur në emër të opozitës, gjatë fundjavës, mbi procedurën që ky Kuvend, ky Kuvend do të duhet të ndjekë. Po, ne jemi pro marrëveshjes që rrit investimet në fushën e sigurisë. Po, ne jemi pro marrëveshjes që përmbush detyrimet ndaj detyrimet e Shqipërisë në anëtarësimin në NATO, pra ndaj vendeve të NATO-s. Po, ne do ta votonim pro, marrëveshjen me aleatin tonë strategjik, duke e falënderuar për mbështetjen që i bën Shqipërisë. Edhe pse është huá dhe Shqipëria ka patur të gjitha mundësitë që gjatë këtyre 14 viteve ta përmbushte vetë këtë detyrim.
Po ju në vend të NATO-s dhe në vend të partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zgjodhët inceneratorët, që nuk ekzistojnë. Kaq është për qytetarët shqiptarë. Në qoftë se paratë, 300 milionë dollarë, nuk do ishin vjedhur nga Edi Rama dhe qeveria e tij bashkë me Klodian Zoton e Klodian Mërtirin për inceneratorë që nuk ekzistojnë, por do të ishin investuar në fushën e sigurisë kombëtare, Shqipëria nuk do të kishte nevojë të merrte një hua të tillë. Por ne kemi një qeveri, që në vend të përgjegjshmërisë ndaj aleancës, zgjedh korrupsionin. Në kundërshtim të angazhimeve në kuadër të NATO-s, zgjedh të vjedhë paratë e qytetarëve më të varfër në Europë. Dhe ju kam propozuar që sot Kuvendi të miratojë shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar. Komisionet përgjegjëse të marrin kohë të martën dhe të mërkurën për të shqyrtuar marrëveshjen dhe të enjten të mblidhemi për të votuar të gjithë bashkë marrëveshjen me aleatin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo zoti kryetar, sepse kështu na e dikton Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Neni 83, pika 2 e Kushtetutës parashikon se Kuvendi, me kërkesë të Këshillit të Ministrave ose një të pestës së deputetëve, mund të shqyrtojë dhe miratojë një projektligj me procedurë të përshpejtuar, por jo më parë se një javë nga fillimi i procedurës së shqyrtimit. Dhe procedura që ju po ndiqni zoti kryetar është konstatuar, por ju nuk i lexoni dhe nuk i respektoni vendimet e Gjykatës Kushtetuese, është konstatuar si antikushtetuese me vendimin numër 18, datë 23.2.2026. Dhe ju keni detyrimin të respektoni Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Në nisje kur secili prej nesh është ulur në këtë sallë zoti kryetar, ju i keni lexuar formulën e betimit. E cila thotë, për secilin prej nesh në këtë sallë: Betohem me nderin tim se do të kryej me ndërgjegje detyrën si deputet i popullit në Kuvendin e Shqipërisë. Do të përfaqësoj denjësisht popullin tim, do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve. Do të mbroj lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, do të respektoj dhe mbroj të drejtat dhe liritë e shtetasve dhe do të punoj me të gjithë fuqitë e mia për përparimin e atdheut dhe mirëqenien e popullit tim. Më thoni për çfarë ndërgjegje, nderuar kolegë të maxhorancës flisni ju, kur sot ju ka ftuar të votoni pa lexuar. Me çfarë ndërgjegje do të votoni ju pa lexuar, pa jua vënë në dispozicion aktet, pa ju përfillur si deputetë të këtij Kuvendi? Më thoni për çfarë ndërgjegje jeni betuar ju të nderuar kolegë të maxhorancës, kur me ndërgjegje të plotë kryeni akte në kundërshtim me Kushtetutën e vendit? Dhe po ju bëj të qartë në këtë seancë plenare. Ne nuk kemi asgjë kundër marrëveshjes, në parim do të duhet ta lexojmë për t’u shprehur në tërësi sepse ndryshe nga ju nuk jemi karton, jemi betuar të votojmë me ndërgjegje dhe në mënyrë të informuar, në mënyrë të plotë të informuar, por procedurë dhe miratim të ligjeve në kundërshtim me Kushtetutën, ne nuk pranojmë kurrë. Marrëveshja zoti kryetar, dhe një fjali dhe e mbylla, se thatë Këshilli i Ministrave ka kërkuar hyrjen në fuqi sa më parë…
Marrëveshja hyn në fuqi ku të dyja shtetet përfundojnë procedurat e veta të brendshme të ratifikimit. Që do të thotë nuk ka asnjë urgjencë, për sa kohë Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kanë përfunduar procedurën e tyre të brendshme. Sepse ata ndryshe nga ju nuk e shkelin Kushtetutën, por zbatojnë Kushtetutën e vendit të tyre. Dhe ne këtë po kërkojmë. Të ndjekim të njëjtin standart, të respektojmë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ndryshe, ftesa do jetë shumë herë më e madhe, sepse ne nuk pranojmë që të qëndrojë në këmbë një ligj antikushtetues, dhe ja ku po ju paralajmëroj, ky ligj do të rrëzohet si antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë. Ju faleminderit.







