Ballina Sport Gjykoi finalen e Kupës së Botës 2026, Slavko Vincic tërhiqet nga arbitrimi

Gjykoi finalen e Kupës së Botës 2026, Slavko Vincic tërhiqet nga arbitrimi

74
0

Federata Sllovene e Futbollit ka konfirmuar zyrtarisht se arbitri i finales së Kupës së Botës 2026, Slavko Vincic, ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij. 46-vjeçari, i cili u përzgjodh nga FIFA për të drejtuar finalen mes Spanjës dhe Argjentinës (1-0), ka vendosur të tërhiqet nga arbitrimi, siç konfirmoi federata e vendit të tij.

“Një javë pas finales së Kupës së Botës në SHBA, Slavko Vincic e mbylli zyrtarisht karrierën e tij historike në nivelin më të lartë të arbitrimit botëror.

Arbitri nga Maribori u bë arbitri i parë kryesor slloven që drejtoi finalen e madhe të Kupës së Botës FIFA 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës. Si kurorëzim i sezonit të tij të fundit, Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit (IFFHS) e shpalli arbitrin më të mirë të Kupës së Botës, ndërsa në Itali iu dorëzua edhe çmimi prestigjioz ‘Giulio Campanati’.”

Federata rikujtoi gjithashtu arritjet më të rëndësishme të Vincic gjatë karrierës së tij. Ai ishte pjesë e tre finaleve të Europa League, përfshirë finalen e vitit 2022 mes Eintracht Frankfurt dhe Rangers. Dy vite më vonë, ai drejtoi edhe finalen e UEFA Champions League mes Real Madridit dhe Borussia Dortmundit. Përvoja e tij në ndeshje të nivelit më të lartë besohet se ishte një nga arsyet kryesore pse FIFA e zgjodhi për finalen e Kupës së Botës 2026. Kur mësoi se do të ishte arbitri i finales, Vincic nuk i përmbajti emocionet dhe shpërtheu në lot.