Ballina Aktualitet Lumenjtë pranë Tiranës dhe Fierit më të ndoturit, amoniaku arrin sasi alarmante

Lumenjtë pranë Tiranës dhe Fierit më të ndoturit, amoniaku arrin sasi alarmante

89
0

Basenet lumore Ishëm-Erzen dhe Seman u klasifikuan në vitin 2025 në Klasën V, “gjendje e keqe”, kategorinë më të ulët të cilësisë së ujërave. Ndër pikat më problematike janë lumi i Tiranës në Kamëz, Lana në Lanabregas dhe Yrshek, të tre stacionet e lumit Ishëm, një segment i Erzenit dhe lumi Gjanica në Fier.

Në pikat e ndotura pranë Tiranës, nevoja biokimike për oksigjen arriti mesatarisht në 53.6 mgO/l, ndërsa përmbajtja e amoniakut deri në 24 mg/l. Agjencia Kombëtare e Mjedisit i lidh këto nivele me ujërat urbane dhe shkarkimet e tjera që derdhen në lumenj pa trajtim paraprak.

Situata është veçanërisht e rëndë në basenin Ishëm-Erzen, i cili nuk ka dalë nga Klasa V në asnjë vit të periudhës 2018–2025. Baseni i Semanit u përkeqësua krahasuar me vitin 2024, duke kaluar nga Klasa IV, “gjendje e varfër”, në Klasën V.

Ndotja rritet pranë zonave të banuara

Në basenin Ishëm-Erzen, tejkalimet më të forta të nevojës biokimike për oksigjen u regjistruan në Kamëz, Lanabregas dhe Yrshek, pranë ish-Doganës së Kasharit. Ky tregues mat oksigjenin që nevojitet për shpërbërjen e lëndëve organike; sa më e lartë vlera, aq më e rëndë është ngarkesa organike në ujë.

Në Klasën V u renditën edhe të tre stacionet e lumit Ishëm: Ura e Rinasit, Ura e Gjolës dhe Ura e Salmerit. Për Erzenin, stacioni Sallmone–Fshati Rinia rezultoi në kategorinë më të keqe për disa parametra.

E njëjta problematikë shfaqet te amoniaku. Vlera më e lartë, 24 mg/l, u regjistrua në pikat e ndotura të Tiranës dhe Lanës, ndërsa të tre stacionet e Ishmit u klasifikuan përsëri në Klasën V. Në Yrshek, ortofosfatet arritën në 2.04 mg/l, tregues i një ngarkese të lartë me lëndë ushqyese që mund të përkeqësojë ekuilibrin e ekosistemit ujor.

Monitorimi tregon se ujërat në rrjedhat e sipërme përgjithësisht kanë cilësi më të mirë, por përkeqësohen pasi kalojnë pranë zonave të urbanizuara. Sipas raportit, shkarkimet urbane, industriale dhe bujqësore derdhen në shumë raste drejtpërdrejt në lumenj.

Gjanica përkeqëson klasifikimin e Semanit

Në basenin e Semanit, pika kryesore problematike mbetet lumi Gjanica, te Ura e Qytetit në Fier. Ndotja lidhet me ndikimin e shkarkimeve urbane dhe industriale.

Përmbajtja e amoniakut në Gjanicë arriti në 1.69 mg/l, duke e vendosur stacionin në Klasën V, ndërsa ortofosfatet arritën në 0.219 mg/l dhe u klasifikuan në Klasën IV. Ndotja e Gjanicës ndikoi në rikthimin e gjithë basenit të Semanit në kategorinë “gjendje e keqe”, pas një përmirësimi të përkohshëm në vitet 2023 dhe 2024.

Për vitin 2025, Drin-Buna dhe Shkumbini u klasifikuan në Klasën III, “gjendje e moderuar”, ndërsa Mati dhe Vjosa në Klasën II, “gjendje e mirë”. Kontrasti tregon se problemet më të rënda përqendrohen në zonat me presion të madh urban dhe industrial, kryesisht rreth Tiranës dhe Fierit.

AKM kërkon ndalimin e shkarkimeve të patrajtuara, ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura dhe kontroll më të fortë të aktiviteteve industriale. Investimet konsiderohen veçanërisht të nevojshme në Tiranë, Fier dhe në qytetet e mëdha bregdetare./ekofin.al