Ballina Politika Kuçana: Berisha futi në Këshill njerëz të akuzuar për trafik droge, vetting...

Kuçana: Berisha futi në Këshill njerëz të akuzuar për trafik droge, vetting brenda në PD! Stop ‘mulizimit’ të partisë

79
0

Përçarjet brenda Partisë Demokratike janë thelluar edhe më tej. Anëtarja e Këshillit Kombëtar, Ilirjana Kuçana, në një intervistë për Albanian News Cast me gazetarin Arbër Hitaj, akuzoi Sali Berishën se ka shkelur statutin duke shtuar anëtarë në Këshillin Kombëtar përtej numrit të miratuar nga Kuvendi, ndërsa deklaroi se mes drejtuesve të rinj ka edhe persona me familjarë të lidhur me trafik droge dhe grupe kriminale. Ajo kërkoi ngritjen e një komisioni vetingu brenda PD-së dhe paralajmëroi se do të ndjekë çdo rrugë për ta kthyer partinë në “legjitimitet”. 
”Zoti Berisha nuk mund të pranojë që në Partinë Demokratike të kemi njerëz, familjarët e të cilëve janë pjesë e grupeve të strukturuara kriminale. I kemi kërkuar të ngrejë një komision vetingu për çdo deputet, drejtues dhe anëtar të Këshillit Kombëtar. Partia duhet të pastrohet nga çdo lidhje me krimin dhe korrupsionin.”

Kuçana kritikoi gjithashtu sekretarin e Përgjithshëm Flamur Noka, duke folur për një fenomen që e quajti “mulizimi” i Partisë Demokratike. Sipas saj, vendimmarrja është përqendruar te një grup i vogël njerëzish, ndërsa meritokracia është zëvendësuar nga emërimet pa garë. Ajo tha se ka propozuar edhe një rezolutë kundër këtij fenomeni, por që nuk u mor në shqyrtim nga Këshilli Kombëtar. 
”Rezoluta ime kishte në thelb mbështetjen e protestës, por edhe luftën kundër fenomenit të ‘mulizimit’. Çdo vendim merret nga një grup i vogël, pa meritokraci. Partia Demokratike duhet të kthehet te parimet e rithemelimit.”

Edhe pse mbrojti figurën historike të Sali Berishës, Kuçana tha se ai mban përgjegjësi për mënyrën se si po drejtohet sot PD-ja. Sipas saj, Berisha duhet të reflektojë, të dëgjojë demokratët dhe të ndërhyjë për të rikthyer meritokracinë dhe funksionimin statutor të partisë. 
”Sali Berisha mbetet lideri historik i Partisë Demokratike, por sot ai duhet të jetë edhe zgjidhja e problemit. Duhet të pastrojë shtëpinë e tij politike dhe të rikthejë meritokracinë, sepse këtë ua ka borxh demokratëve.”