Gazetarja britanike e rrjetit të njohur televiziv Channel4, Lindsey Hilsum, ka zhvilluar një intervistë me Edi Ramën, ndërkohë që sot mbushen 60 ditë protesta kundër kryeministrit shqiptar. Në këtë intervistë, gazetarja e ‘kryqëzon’ Ramën, pasi ky i fundit i thotë se nuk ka projekt për zonën e Zvërnecit. Gazetarja thotë se e ka parë projektin.
I zënë ngushtë, Edi Rama mashtroi hapur kur tha se buldozerët janë dërguar për të hapur rrugën për banorët e zonës. Por gazetarja shton se banorët e zonës e kishin rrugën të hapur, megjithatë atyre iu vendos gardhi pasi shkuan buldozerët.
Më poshtë intervista:
Lindsey Hilsum: Protestuesit kanë dalë çdo mbrëmje për gati 60 ditë. Si ndiheni që për natë pas nate keni protestues përpara zyrës suaj?
Edi Rama: Është diçka e mrekullueshme për vendin, për shoqërinë, sepse pikërisht në këtë bulevard, jo shumë kohë më parë, rreth 15 vjet më parë, njerëzit u vranë me plumba të vërtetë ndërsa protestonin paqësisht. Kam reflektuar shumë për këtë protestë. Dhe kam arritur në përfundimin se për njerëzit nuk bëhet fjalë për faktet, dhe me të drejtë, por për pritshmëritë më të larta që i nxjerrin ata në rrugë. Dhe kjo është në rregull.
Lindsey Hilsum: Pra nuk është një gjë e keqe?
Edi Rama: Është fantastike. Prandaj thashë se është fantastike. Unë i kuptoj ata.
Lindsey Hilsum: A ju kanë bërë këto protesta të rishikoni ndonjë nga politikat tuaja?
Edi Rama: Cilat politika?
Lindsey Hilsum: Politikat lidhur me projektin në Sazan dhe Zvërnec, prej nga nisi e gjithë kjo histori, për shkak të rrezikimit të habitatit të flamingove dhe të habitateve të tjera atje.
Edi Rama: Jo. Nuk ka nisur asnjë projekt.
Lindsey Hilsum: Por unë e kam parë.
Edi Rama: Jo.
Lindsey Hilsum: Atëherë çfarë kam parë? A nuk duhet t’u besoj syve të mi?
Edi Rama: Do t’ju them çfarë keni parë. Por nuk ka nisur asnjë projekt. Dhe, për të filluar me Sazanin, të cilin e përfshitë në pyetjen tuaj, në Sazan nuk ka as projekt dhe as marrëveshje. Përfshirja e Sazanit në këtë diskutim është krejtësisht e panevojshme, sepse ende nuk kemi asgjë në Sazan.
Lindsey Hilsum: Por zoti Kushner dhe zonja Trump i kanë lidhur të dy projektet së bashku, apo jo? Ata thanë se të dy projektet janë të lidhura.
Edi Rama: Po, ideja është e lidhur…
Lindsey Hilsum: Atëherë ma shpjegoni, sepse unë shkova në Zvërnec dhe pashë vendin ku kishte filluar projekti…
Edi Rama: Nuk ka filluar asnjë projekt në Zvërnec.
Lindsey Hilsum: Atëherë çfarë pashë? Gardhet dhe të gjitha ato?
Edi Rama: Po ju shpjegoj. Nuk është fillimi i projektit. Janë vetëm përgatitjet për të kryer punët paraprake përpara se të jepet leja, e cila do të bazohet në vlerësimin e ndikimit në mjedis, studimet gjeologjike, hidrologjike e të tjera.
Lindsey Hilsum: Por zakonisht vlerësimi mjedisor bëhet përpara se të futen buldozerët, sepse buldozerët mund të dëmtojnë mjedisin. Normalisht dërgohen disa shkencëtarë që ta studiojnë zonën.
Edi Rama: Buldozerët janë përdorur për të hapur rrugën për komunitetin, në mënyrë që njerëzit të mund të kalojnë përmes pronës private dhe të mos pengohen të lëvizin. Nuk…
Lindsey Hilsum: Por njerëzit kalonin edhe më parë në atë rrugë me rërë. Nuk ishin të bllokuar më parë. U bllokuan më pas, sepse u vendos gardhi.
Edi Rama: E kuptoj. Tani, nëse doni faktet, unë po jua them faktet.
Lindsey Hilsum: Zoti Kushner ka thënë se ju ishit në jaht me ta kur zbuluan ishullin në vitin 2020.
Edi Rama: U ftova të bashkohesha me disa persona në një jaht që ndaloi në Shqipëri për t’u furnizuar me karburant, rrugës për në Mal të Zi.
Lindsey Hilsum: Ishte jahti i Nat Rothschild.
Edi Rama: Po. U ftova dhe shkova. Atje takova Jaredin dhe Ivankën. Nuk e di nëse kishin dëgjuar më parë për Shqipërinë, por mund të them me siguri se nuk kishin ndonjë interes konkret për Shqipërinë. Ata ishin shumë të interesuar për historinë dhe vendin ku ndodheshin. Kjo është pika e parë. Pika e dytë: disa muaj më vonë, në Davos, takova Jaredin dhe ai më shprehu interesin për të eksploruar mundësinë e investimit. Natyrisht që unë i thashë “po”. Si mund t’i thosha “jo”? I thashë “po”. Për mua kjo është gjëja më normale. Ky do të jetë një nga zhvillimet më të jashtëzakonshme që do t’i ndodhin Evropës pas shumë kohësh. Kohët e fundit nuk kanë ndodhur shumë gjëra të jashtëzakonshme në Evropë.
Lindsey Hilsum: Pse është kaq e jashtëzakonshme?
Edi Rama: Sepse nuk do të jetë ajo që njerëzit e imagjinojnë gabimisht. Dhe as ajo që ju e imagjinoni gabimisht.
Lindsey Hilsum: Unë nuk po imagjinoj. Kam parë atë që Jared Kushner publikoi në Instagram dhe disa nga planet e projektit. E kuptoj që ato nuk janë planet përfundimtare.
Edi Rama: Ajo që u publikua në Instagram ishte vetëm një prezantim paraprak. Projekti ka evoluar. Tani janë përfshirë arkitektë të nivelit më të lartë dhe projektues peizazhi të njohur për punën e tyre në zonat ligatinore. Në të njëjtën kohë, ne po bëjmë në mënyrë të pavarur vlerësimin e ndikimit në mjedis. Pra, projekti nuk synon ta shkatërrojë atë vend të bukur. Synon ta rigjenerojë.
Lindsey Hilsum: Komisioni Evropian ka shprehur shqetësim. Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është shumë i rëndësishëm për ju. Komisioni është i shqetësuar për ligjet mjedisore dhe për ndryshimet e vitit 2024 që krijojnë një lloj përjashtimi për investimet strategjike. A mendoni se mund ta rishikoni këtë?
Edi Rama: Dëgjoni. Është shumë mirë që Komisioni është i shqetësuar. Nuk mund të jetë ndryshe. Dhe, meqë ra fjala, ne po negociojmë për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian. Prandaj vetë ideja se ne mund të ecim përpara me një projekt, apo me çfarëdo projekti, që nuk përputhet me standardet evropiane është absurde. Unë po them vetëm këtë: për këtë projekt, qetësohuni, flisni me fakte, komentoni faktet dhe shikoni faktet. Mos u emociononi tepër duke thënë se gjithçka është katastrofike.
Lindsey Hilsum: Duket sikur ju kanë prekur personalisht këto akuza.
Edi Rama: Jo, jo, nuk jam lënduar.
Lindsey Hilsum: Megjithatë duket sikur e merrni shumë personalisht.
Edi Rama: Dëgjoni. Çdo gjë është personale. Kushdo që e bën punën e tij me pasion e përjeton personalisht. Por nuk jam i lënduar. Madje kjo më ka ndihmuar. Siç ju thashë edhe më parë, për mua protestat e qershorit – jo kjo e tanishmja – kanë qenë njëkohësisht një konfirmim se vendi ka arritur në një nivel tjetër dhe, nga ana tjetër, një pasqyrë shumë e qartë për të parë se mbi çfarë duhet të reflektojmë.







