Një nga keqkuptimet sigurisht dashamirëse që po shfaqet rendom në interpretimin e kësaj proteste është përpjekja për ta konsideruar atë si lindja e një ‘opozite të re’. Por pavarësisht se në pamje të parë ky ngjan si një përkufizim pozitiv, në thelb ai është nje përkufizum i gabuar, sepse e kufizon një fenomen themelor për demokracinë brenda logjikës së sistemit ekzistues.
Opozita është një komponent strukturor i sistemit politik, sepse ushtron kontroll ndaj qeverisë, konkurron për pushtet dhe funksionon sipas logjikes se rendit kushtetues. Por një protestë qytetare me përmasat dhe karakteristikat që po shfaqen sot duket se nuk ka si mision të zëvendësojë thjesht opozitën, sepse roli dhe funksioni i saj është shumë më i thellë, të rikrijojë kushtet mbi të cilat do të ndërtohet legjitimiteti dhe përfaqësimi i ri politik në Shqipëri.
Kjo sepse kur qytetarët nuk besojne më tek aktorët politike ekzistues, problemi nuk është më vetëm se kush do të jetë në opozitë apo kush do jetë në qeveri, problemi bëhet vetë legjitimiteti i sistemit.
Në këtë pikë, protesta nuk është më një instrument presioni ndaj pushtetit, ajo shndërrohet në hapësirën ku fillon të marrë formë një rend i ri politik.
Kjo është arsyeja pse protesta nuk duhet parë si opozita e re. Ajo tashmë është kthyer në ‘furrën politike’ ku po gatuhen dhe piqen njëkohësisht mazhoranca dhe opozita e së nesërmes.
Brenda saj po krijohen marrëdhënie të reja besimi, po provohen figura të reja, po testohen ide dhe po ndërtohet kredibiliteti që më pas do të përkthehet në përfaqësim politik.
Ndërkohë, sistemi i vjetër përballet me problemin më të madh që mund të ketë një regjim demokratik, humbjen e legjitimitetit dhe besimit te qytetarëve. Kur besimi zbehet në mënyrë të vazhdueshme, edhe legjitimiteti politik fillon të konsumohet ato mund të vazhdojnë të ekzistojnë formalisht, por aftësia e tyre për të përfaqësuar qytetarët ka marrë një goditje fatale, e cila zor se rikuperohet .
Për këtë arsye, vëmendja nuk duhet të përqendrohet te pyetja se cila forcë politike do ta përfaqësojë protestën. Pyetja më e rëndësishme është se çfarë sistemi politik do të dalë prej saj. Sepse pikërisht aty po investohet sot pjesa më e madhe e besimit qytetar.
Nëse ky proces vazhdon dhe arrin të ruajë karakterin e tij qytetar, protesta do të kujtohet si momenti kur filloi të formësohej një mazhorancë e re, një opozitë e re dhe, mbi të gjitha, një ekuilibër i ri politik, i ndërtuar mbi legjitimitetin që buron nga besimi i qytetarëve.







