Ballina Bota ​Burgim i përjetshëm për adoleshentin që kreu sulm masiv në një shkollë...

​Burgim i përjetshëm për adoleshentin që kreu sulm masiv në një shkollë në Georgia

79
0

Adoleshenti që kreu një sulm masiv me armë në një shkollë të mesme në Georgia në vitin 2024, duke vrarë katër persona, u dënua më 28 korrik me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht.

Colt Gray, 16 vjeç, u dënua disa ditë pasi u deklarua fajtor për 55 akuza, përfshirë vrasje të rëndë, sulm të rëndë dhe keqtrajtim të fëmijëve, lidhur me sulmin e 4 shtatorit 2024 në shkollën e mesme Apalachee, ku vrau dy nxënës dhe dy mësues dhe plagosi nëntë persona të tjerë. Gray ishte 14 vjeç në kohën e sulmit.

Sipas USA Today, prokurori Brad Smith kërkoi dënimin maksimal, duke thënë se Gray “gjuajti me armë ndaj njerëzve krejtësisht të panjohur vetëm që të bëhej i famshëm”, ndërsa avokati i tij kërkoi mëshirë, duke thënë se ai i ka pranuar veprimet e tij dhe se ishte shtyrë nga dëshira për t’u pranuar.

Gjykatësi Nicholas Primm e cilësoi veprimin e Gray si “të keqe të qëllimshme dhe të menduar”, duke iu referuar edhe një shënimi të tij ku shkruante: “Dua të bëj histori. Dua që njerëzit ta kujtojnë dhimbjen që shkaktova”.