Ballina Lifestyle Alarm në Hollywood, ekspozohen kontaktet e yjeve të njohur

Alarm në Hollywood, ekspozohen kontaktet e yjeve të njohur

17
0

Një rrjedhje të dhënash nga Festivali Tribeca ka nxjerrë në pah informacionet e kontaktit të mijëra personave të njohur të botës së kinemasë, mes tyre aktorë, regjisorë dhe figura të tjera të industrisë, përfshirë Robert De Niro dhe Angelina Jolie. Rrjedhja u zbulua nga eksperti i sigurisë kibernetike Jeremiah Fowler, i cili tha se identifikoi gjithsej 666 mijë e 369 skedarë të ekspozuar, që mbulonin periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2026.

Pas publikimit të lajmit, organizatorët e Festivalit Tribeca reaguan me një deklaratë, duke sqaruar se të dhënat janë hequr menjëherë sapo u identifikua problemi.

“Asnjë prej personave të përmendur në raportimet e fundit nuk kishte të ekspozuara të dhëna personale të kontaktit. Shumica dërrmuese e informacionit përbëhej nga kontakte profesionale të disponueshme publikisht, përfshirë përfaqësues të marrëdhënieve me publikun, agjentë artistësh, adresa elektronike zyrtare, të dhëna nga faqja e festivalit dhe informacione të tjera tashmë publike. Të gjitha këto të dhëna u hoqën menjëherë pasi u zbulua problemi”, thuhet në reagimin e festivalit.

Sipas revistës Variety, në bazën e të dhënave ndodhej një kopje rezervë (backup) që përmbante informacione potencialisht të ndjeshme. Në të gjendej një dosje me emrin “contacts”, ku ishin regjistruar 1 mijë e 535 kontakte, përfshirë emra, adresa, numra telefoni dhe email-e të regjisorëve si Martin Scorsese, Francis Ford Coppola, Guillermo del Toro dhe Ron Howard, si edhe të aktorëve Robert De Niro, Jennifer Lawrence, Angelina Jolie, Morgan Freeman, Rami Malek, Eva Mendes dhe Michael J. Fox.

Megjithatë, Fowler sqaroi se një pjesë e të dhënave të kontaktit ishte e paplotë ose përmbante informacionet e asistentëve, menaxherëve apo zyrave të marrëdhënieve me publikun, dhe jo adresat personale të email-it apo numrat privatë të telefonit, duke konfirmuar kështu edhe qëndrimin e organizatorëve të festivalit.

Sipas ekspertit të sigurisë kibernetike, rrjedhja u shkaktua nga një gabim njerëzor, pasi një kopje rezervë e bazës së të dhënave ishte lënë e aksesueshme dhe ruhej në format tekst të thjeshtë, pa asnjë formë enkriptimi.