Ballina Kronika Dyshohet se u qëllua edhe me armë në ajër/ Zbardhet konflikti me...

Dyshohet se u qëllua edhe me armë në ajër/ Zbardhet konflikti me tre të plagosur në Tepelenë, shpallen në kërkim 5 persona

74
0

Policia ka zbardhur detaje të reja nga konflikti i ndodhur në Tepelenë, ku tre persona mbetën të plagosur pas një përleshjeje me sende të forta. Ngjarja u regjistrua rreth orës 01:10 të datës 31 korrik 2026, ndërsa pas hetimeve të kryera nga grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, janë identifikuar pesë persona të dyshuar si të përfshirë në konflikt.

Sipas Policisë, në kërkim janë shpallur shtetasit R. Ç., 23 vjeç, Sh. Ç., 22 vjeç, A. Ç., 30 vjeç, A. Ç., 58 vjeç dhe H. Ç., 43 vjeç.

Nga hetimet paraprake dyshohet se gjatë përplasjes, njëri prej personave të shpallur në kërkim ka qëlluar me armë zjarri në ajër.

Tre të dëmtuarit nga konflikti, dy vëllezër dhe kushëriri i tyre, mbetën të plagosur me sende të forta dhe u transportuan për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë vijojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.