Nga Klevis Bakillari
Skena politike shqiptare po dëshmon sërish një nga shfaqjet e saj më të përsëritura: zhurmën që zëvendëson arsyen. Protestat e ditëve të fundit në bashki si Poliçani apo Divjaka, të nxitura nga propozimi i Partisë Socialiste për një riorganizim të ri territorial dhe bashkim bashkish, janë shndërruar në skenën e radhës të një amatorizmi politik. Ajo që duhet të ishte një debat teknik, ekonomik dhe administrativ mbi efikasitetin e decentralizimit, është reduktuar në një buçitje thjesht emocionale. Ky fenomen tregon një sëmundje më të thellë të shoqërisë sonë: shndërrimin e protestës në një marramendje kolektive, ku mungon thellësia dhe dominon instinkti.
Këto revolta lokale nuk burojnë nga ndonjë analizë e thellë mbi shërbimet ndaj qytetarëve, buxhetet apo autonominë fiskale. Ato janë reagime diletante, të ushqyera nga frika e humbjes së mikrofoneve lokalë dhe ndarjeve të vjetra partiake. Kur një komunitet ngrihet në protestë jo sepse i mungon uji apo investimet, por sepse refuzon ndryshimin e kufijve administrativë që do të racionalizonin shpenzimet, ne nuk jemi përpara një vetëdijeje qytetare. Jemi përpara një egoizmi provincial. Politika e ditës i përdor këto ndjenja të pastra, por të painformuara, për të krijuar kauza artificiale, duke e trajtuar territorin si pronë feudale dhe jo si hapësirë në shërbim të zhvillimit.
Kjo paaftësi për të parë përtej hundës dhe emocioneve të çastit manifestohet njëlloj edhe në debatin e madh të politikës së jashtme dhe të drejtave të minoriteteve. Një shembull flagrant është reagimi ndaj ngritjes së Konsullatës së Serbisë në Shkodër. Për shumë pseudo-patriotë të rrjeteve sociale dhe studiove televizive, ky hap u interpretua me të njëjtën marramendje kolektive dhe tërbim nacionalist. Mirëpo, një analizë e ftohtë dhe largpamëse tregon të kundërtën. Ngritja e kësaj konsullate nuk është kërcënim, por një akt pjekurie diplomatike dhe një urë bashkëpunimi ekonomik e kulturor.
Shkodra, si një qendër historike e bashkëjetesës, ofron mjedisin perfekt për të treguar se Shqipëria funksionon mbi vlerat europiane të respektit për minoritetet. Duke garantuar standarde të larta dhe respekt për pakicat brenda kufijve tanë, Shqipëria fiton autoritetin moral dhe diplomatik për të kërkuar të njëjtin reciprocitet, respekt dhe të drejta legjitime për shqiptarët në Luginën e Preshevës, Bujanovc dhe Medvegjë. Ky është pragmatizëm politik, jo dorëzim; është ndërtim urash, jo mure izolimi.
Shqipëria nuk mund të ecë përpara nëse çdo reformë strukturore, qoftë e brendshme si ajo territoriale, qoftë e jashtme si ajo diplomatike, pritet me britma dhe refuzim apriori. Protestat politike në vendin tonë duhet të zhvishen nga diletantizmi dhe folklorizmi. Ka ardhur koha që buçitjet emocionale t’ia lirojnë vendin argumentit, tabelave të bilanceve dhe vizionit afatgjatë. Për sa kohë që do t’i lejojmë vetes të udhëhiqemi nga marramendja kolektive, do të mbetemi peng të një tranzicioni të pafund, ku qytetari bërtet për liri, por mbetet skllav i kauzave të rreme.







