Ballina Bota Tragjedi në Himalaje/ Humb jetën Nirmal Purja. Alpinisti i rekordeve, mes viktimave...

Tragjedi në Himalaje/ Humb jetën Nirmal Purja. Alpinisti i rekordeve, mes viktimave të ortekut në Pakistan

41
0

Alpinisti i famshëm britaniko-nepalez Nirmal Purja, i njohur në mbarë botën si “Nims”, është mes 10 personave që humbën jetën pas një orteku në malin Broad Peak në vargmalin Karakoram të Pakistanit.

Lajmi u konfirmua nga kompania e tij, Elite Expeditions, e cila njoftoi me “trishtim të thellë” vdekjen e Purjas, 43 vjeç. Ai ishte drejtuesi i një ekspedite shumëkombëshe që u godit nga orteku në një lartësi prej rreth 8,047 metrash mbi nivelin e detit.

Autoritetet pakistaneze bënë të ditur se ndër viktimat janë edhe alpinistja amerikane Mallory Geis, Nadhira Ahmed Abdullah Al Harthy nga Omani dhe Pur Bahadur Gurung nga Nepali.

Kryeministri i Nepalit, Balendra Shah, shprehu tronditjen për humbjen e gjashtë alpinistëve nepalezë dhe katër të huajve, mes tyre edhe mbajtësin e rekordeve botërore Nirmal Purja.

“Historia e guximit, përkushtimit dhe kontributeve të tyre do të mbetet gjithmonë frymëzuese”, deklaroi ai.

Purja u bë një figurë legjendare në botën e alpinizmit në vitin 2019, kur arriti të ngjiste 14 majat mbi 8,000 metra të botës në vetëm 189 ditë, duke thyer rekordin e mëparshëm me më shumë se shtatë vite.

Arritja e tij u bë edhe më e njohur pas dokumentarit të Netflix “14 Peaks: Nothing Is Impossible”, i cili tregoi sfidën e tij ekstreme.

Përpara karrierës si alpinist profesionist, Purja shërbeu për 16 vite në ushtrinë britanike, përfshirë 10 vite në forcat speciale. Në vitin 2018 ai u nderua me titullin MBE nga Mbretëresha Elizabeth II për kontributet e tij në alpinizmin ekstrem.

Ai ishte gjithashtu Gurkha i parë që u ngjit në Everest gjatë kohës që shërbente në ushtrinë britanike.

Në një nga postimet e tij të fundit, Purja kishte shkruar se ngjitja në Broad Peak nuk ishte pjesë e planit fillestar, por vendosi ta përfshinte pasi iu krijua mundësia për të qenë një hap larg një tjetër rekordi historik: ngjitjes së të 14 “tetëmijësheve” për herë të dytë, pa përdorur oksigjen shtesë.

“Broad Peak, nuk kërkoj asgjë tjetër përveç një kalimi të sigurt lart e poshtë. Nuk e marr asnjë mal si të mirëqenë”, kishte shkruar ai.

Broad Peak konsiderohet një nga majat më të vështira në botë. Ngjitja e parë e suksesshme u realizua në vitin 1957 nga një ekspeditë austriake, ndërsa që atëherë dhjetëra alpinistë kanë humbur jetën në përpjekje për ta pushtuar.