Ballina Opinion Protesta si shpresa e fundit në një vend të bllokuar!

Protesta si shpresa e fundit në një vend të bllokuar!

34
0

Nga Agron Gjekmarkaj

Një vend i marrë peng. Një popull i papërfaqësuar. Një Shqipëri e bllokuar në zgjedhje, e bllokuar në rotacionin politik, e bllokuar në institucione, e bllokuar në rrugë e trafik, e bllokuar nga korrupsioni dhe nga banaliteti i një pushteti që ka zëvendësuar lirinë me nenshtrimin. Gjithçka duket e kapur. Pluralizmi është reduktuar në minimum. Arsimi po rrënohet në çdo nivel duke prodhura diploma fake, shëndetësia nuk u përgjigjet aspak nevojave të qytetarëve, ekonomia e monopoleve me nje euro të shkaterruar, favorizon një kastë të lidhur me pushtetin, ndërsa vendi shpopullohet me ritme alarmante. Reformat si kjo e territorit janë kthyer në pseudoreforma, operacione elektorale për të betonuar pushtetin. Të diturit nuk dëgjohen më, të ndershmit përjashtohen, profesionistët zëvendësohen nga patronazhistët e partisë.

Qeveria nuk kërkon të fitojë përballë opozitës në një garë të lirë politike, por ta nxjerrë atë jashtë loje me mjete ekstra-politike, jo vetëm ligjore por në aleancë të ngushtë me botën e krimit dhe narkotrafikut! Si pasojë, një pjesë e madhe e shqiptarëve ndihen të papërfaqësuar. Partia Socialiste është shndërruar në instrumentin që i jep gjithçka një kaste të ngushtë, qendrore e lokale!

Në 36 vite pluralizëm, Shqipëria nuk ka njohur një pushtet kaq të përqendruar dhe kaq piramidal. Presidenti i Republikës është kthyer në një figurë mjerane pa rol real. Kryeministri ka atribute mbreterore te shekullit 15.

Pa nevojë morën edhe avokatin e popullit thjesht për mujshari publike!

Institucionet e pavarura nuk ekzistojnë më si të tilla; ato janë shndërruar në instrumente të Partisë Socialiste dhe të pushtetit ekzekutiv si dikur bashkimet profesionale, bashkimet e grave apo organizata të tjera ne raport me PPSH!

E vetmja njollë pluralizmi që ka mbetur në vend është opozita në Parlament e cila me të padrejtë shpesh paragjykoget, keqgjykohet apo i vihet shenja e barazimit!

Çdo forcë e madhe apo e vogël opozitare, çdo segment apo grup duhet të tejkalojë vetveten dhe të bashkohet në një front, pa ndosha pa sikur, pa meskinitete të vogla!

Inxhinjeria elektorale dhe politike nen heshtjen e shoqerise e ka vene ate në proven e ekzistences! Tani ky zgjim prodhon shpresë të madhe!

“Besa” dhe “Prania Besnike” janë shndërruar në dy monumente të hipokrizisë dhe folklorit politik. Ajo është retorikë halli!

Ato nuk simbolizojnë besimin, por frikën; nuk përfaqësojnë përkushtimin ndaj qytetarëve, por nevojën për të mposhtur ankthin që protesta ka krijuar!

Sot qeveria dhe kryeministri Edi Rama nuk janë më përballë vetëm ndaj opozitës, por përballë popullit.

Përballë qytetarëve që kërkojnë llogari, përballë të rinjve që largohen, përballë familjeve që humbin shpresën, përballë shtresës së mesme që varferohet, perballe të varfërve që zemërohen, përballë intelektualëve që janë lodhur nga heshtja e konformizmi, përballë qytetarëve që duan të ruajnë dinjitetin e tyre individual mbi parime kushtetuese dhe atë të Republikës. Historia ka treguar se zakonisht ikin qeveritë e këqija dhe mbetet shoqëria. Në Shqipëri ka ndodhur e kundërta: ka rezistuar qeveria, ndërsa është larguar shoqëria.

Kjo është drama më e madhe e këtyre viteve, paradoks sa politik aq kulturor, pikëpyetje e madhe për një popull të lashtë!

Prandaj protesta mbetet shpresa e fundit dhe forca më e madhe emancipuese e qytetarëve.

As vapa, as shiu, as frika nuk duhet ta ndalin. Historia na ka mesuar se veprimet gjysmake, dialektika e teadhetuar kanë favorizuar më shumë represionin dhe autoritarizmin në fazen e mepasme!

Është koha për një kthesë historike, për rikthimin e pluralizmit, të lirisë politike dhe të një shteti që u shërben qytetarëve, jo një pakice që e konsideron pushtetin pronë të saj dhe qytetarin instrument pa emër në shërbim të ambicieve të tyre!