Nga Klodian Tomorri
Kjo që po bëjnë këta gjyqtarët për punën e rrogave është palaçollëk i padëgjuar ndonjëherë në histori.
Çohet Gjykata Kushtetuese dhe cakton rroga me vendim gjykate. Ku e kanë lexuar në Kushtetutë gardianët e Kushtetutës, që rrogat caktohen me vendime gjykatash?
Kushtetuta ka vetëm një fjali që lidh gjykatën me rrogën. “Paga e magjistratit nuk mund të ulet”. Kaq. Vetëm nëse qeveria ul rrogën e magjistratit ndërhyn gjykata dhe thotë kjo është antikushtetuese. Kaq.
Por këta mirë që nxjerrin vendim paçavure, totalisht antikushtetues, ku caktojnë rrogat e shtetit, por edhe e bëjnë fakt të kryer. Shkojnë i çojnë thesarit për ekzekutim borderotë me rrogat e reja. Por nuk mbaron këtu. Pasi Ministria e Financave i bllokoi në minutën e fundit, lëshuan prokurorët të kërcënojnë punonjësit e Thesarit.
Turp dhe faqja e zezë. Kërcënojnë specialistët e thesarit që do ju fusim në burg. Gratë e thesarit. Këta janë gjyqtarë dhe prokurorë apo janë banditë?
Pastaj kallëzojnë penalisht ministrin e Financave? Për çfarë? Tani shikoni çfarë kanë bërë këta. Kanë rritur rrogat e tyre, por puna është se vendimi i tyre shkon kaskadë.
Rroga e kryetarit të gjykatës është e lidhur me rrogën e Avokatit të Popullit, rrogën e drejtorit të Komisionit të Prokurimeve Publike, kryetarit të KLSH-së e kështu me radhë të të gjitha institucioneve kushtetuese.
Rrogat e titullarëve të këtyre institucioneve janë te lidhura me rrogat e punonjësve të tyre.
Pra Gjykata Kushtetuese ka rritur rrogat e gjyqtarëve, prokurorëve, OPGJ-ve, këshilltarëve të gjykatave, Avokatit të Popullit, komisionerëve të Avokatit të Popullit, kryetarit të KLP-së, punonjësve të KLP-së, KLSH-së e kështu me radhë.
Do marrë lloj-lloj sorollopi komisioneri dhe këshilltari rroga me vendim gjykate. 45 milionë euro shtesë në vit kosto për qytetarët. Mirë kaq, por e duan që nga 2023 edhe 140 milionë euro të tjera shtesë. Ej, si spital psikiatrik.
Praktikisht Gjykata Kushtetuese ka caktuar rrogat e gjysmës së punonjësve publikë dhe u thotë qytetarëve tani, paguajini paratë.
Pagat caktohen me ligj. Ky është atribut i mazhorancës qeverisëse. Çdo gjë tjetër përtej kësaj është puç Kushtetues. Vetëm se këtë herë puçisti është vetë gjyqësori. Turp.







