Ballina Opinion Protesta si burimi i ri i legjitimitetit politik

Protesta si burimi i ri i legjitimitetit politik

103
0

Nga Red Varaku

Kriza ku ndodhet sot Shqipëria nuk është thjesht një krizë përfaqësimi të cilën e ka prodhuar rrënimi i besimit tek establishmenti politik. Kriza e vërtetë është beteja e madhe që po zhvillohet midis një establishmenti që ka vdekur politikisht, që nuk prodhon dot më konsensus dhe nje LEVIZJE që sapo ka lindur, por po fiton çdo ditë dhe më shumë statusin e një autoriteti alternativ në ndërgjegjen publike.

Për këtë arsye, një krizë e tillë nuk zgjidhet vetëm me rrëzimin e një qeverie, as me mbajtjen e zgjedhjeve dhe as me zëvendësimin e disa figurave politike. Ajo zgjidhet vetëm kur lind një burim i ri legjitimiteti, i aftë të përfaqësojë një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë dhe t’i japë asaj një drejtim të ri politik.

Pikërisht këtu qëndron rëndësia e protestës.

Gabimi më i madh që po bën establishmenti është që ai po e trajton atë si një reagim spontan ose si një mobilizim kalimtar qytetar. Nëse do të ishte vetëm kaq, ajo do të ishte thjesht një episod. Ama kur një protestë arrin të ndërtojë një identitet të përbashkët, një gjuhë të re politike dhe një sistem të ri simbolesh, ajo jo vetem që pushon së qeni thjesht një ngjarje episodike, por ajo fillon të funksionojë si embrioni i një rendi të ri politik.

Kjo është arsyeja pse reagimi i pushtetit është i pamëshirshmën dhe nuk përqendrohet vetëm tek organizimi i protestës, por kryesisht fokusohet tek rrënimi i legjitimitetit të saj. Çdo përpjekje për ta etiketuar, për ta delegjitimuar apo për ta reduktuar thjesht në një pakicë të manipuluar buron nga frika se protesta mund të fitojë pikerisht statusin e një autoriteti alternativ legjitim në ndërgjegjen publike.

Ne fakt ky është treguesi më i qartë se faza e parë e krizës ka përfunduar. Sepse në momentin kur një protestë arrin të prodhojë një autoritet alternativ në ndërgjegjen publike, ajo nuk është thjesht një ngjarje episodike por ajo është kthyer në një LËVIZJE që tashmë ka hyrë në skenën tonë politike.

Kjo sigurisht nuk do të thotë se rendi i vjetër ka rënë, sepse institucionet vazhdojnë të funksionojnë dhe pushteti vazhdon të qeverisë. Por historia politike na mëson se rendet e konsumuara nuk rrëzohen në ditën kur humbasin formalisht pushtetin . Ato fillojnë të bien në ditën kur humbasin monopolin mbi imagjinatën politike të shoqërisë.

Sepse një protestë që nuk kërkon thjesht ndryshimin e një vendimi, por propozon një mënyrë tjetër të organizimit politik, jo vetëm nuk është më thjesht një opozitë në kuptimin tradicional, por ajo është kthyer ne një proces themelues.

Kjo sepse sepse ka filluar të prodhojë një burim të ri legjitimiteti politik.

Në këtë kuptim, protesta nuk është më siç kemi thënë një simptomë e krizës, sepse tashmë ajo është kthyer në mekanizmin e vetëm përmes të cilit kriza mund të zgjidhet.

Sepse një krizë legjitimiteti nuk përfundon kur rendi i vjetër bëhet më i fortë. Ajo përfundon kur shoqëria gjen një pikë të re referimi që arrin të përfaqësojë ëndrrat dhe aspiratat e saj.