Policia Kufitare ka ndëshkuar një drejtues mjeti lundrues, pasi hyri me gomone brenda perimetrit të sigurisë në plazhin publik të Ishujve të Ksamilit, duke rrezikuar pushuesit.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare vijojnë kontrollet dhe patrullimet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me synim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe zbatimin e rregullave të lundrimit.
Gjatë patrullimit në sektorin detar të Ishujve të Ksamilit, efektivët konstatuan një gomone që kishte hyrë në zonën e ndaluar për mjetet lundruese, pranë “Plazhit Publik”, duke krijuar rrezik për personat që ndodheshin në det dhe në breg.
Në përfundim të veprimeve administrative, Policia bllokoi mjetin lundrues, ndërsa drejtuesi i tij, shtetasi me inicialet A. B., u gjobit me 500 mijë lekë të rinj për shkeljen e rregullave të sigurisë.
Policia e Shtetit u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë në det të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, për të shmangur rrezikimin e jetës së pushuesve dhe për të garantuar një sezon turistik të sigurt.







